Prokuroria Speciale është mbledhur sot e ku me takim me ekipin e përbashkët për shënjestrimin e rasteve, kanë edhe një nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar, që është ai “SkyCC” apo “Qielli i Thyer” ku janë të arrestuar 33 persona, raporton Ekonomia Online.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online ka thënë se vlera e konfiskimeve në total kap shifrën e rreth 80 milionë eurove, duke theksuar se ky është një rast që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, sa i përket vlerës së sekuestrimeve.
“Sot kemi thirr një takim me ekipin e përbashkët për shenjëstrimin e rasteve. Kemi të bëjmë me një rast jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka të bëjë me krimin e organizuar. Vlera e konfiskimeve në total, përfshirë vlerën palujtshëmrive, parave të gatshme e tjera shkon diku rreth 80 milionë euro. Është një rast që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë sa i përket kësaj vlere të sekuestrimeve”, tha Isufaj.
Isufaj u shpreh të gjithë të dyshuarit janë në paraburgim dhe se ky rast është me prioritet të jashtëzakonshëm.
Kryeprokurori i Speciales nuk deshti të paragjykojë rastin, por ka garantuar se hetimet po bëhen me profesionalizëm.
“Rasti është i ndjeshëm dhe i kemi të gjithë të dyshuarit deri më tani në paraburgim. Për ne ka prioritet jashtëzakonisht i madh. Nuk paragjykojmë si do të jetë fundi po atë që garantojmë që është se hetimet janë duke u zhvilluar me profesionalizëm dhe prioritetin e duhur”, tha ai.
Po ashtu, janë ngrirë mjete financiare në llogari bankare në vlerë rreth 1.5 milionë euro dhe janë sekuestruar 80 vetura luksoze me vlera milionëshe, duke bërë që vlera totale e pasurisë së sekuestruar deri më tani të arrijë rreth 80 milionë euro.
Hetimet janë zgjeruar dhe, për shkak të njdeshmërisë së rastit, janë caktuar dy prokurorë për trajtimin e tij.

