Në seancën e radhës së shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, në Gjykatën Themelore janë paraqitur prova të reja fotografike që lidhen me lëvizjet e të akuzuarve pas vrasjes dhe pas qëndrimit të Murselit në polici.
Prokuroria bëri të ditur se fotografitë janë siguruar nga kamerat e një hoteli në Prishtinë dhe, sipas saj, dokumentojnë hyrjen e Naim Murselit dhe Kushtrim Kokallës në hotel, si dhe veprimet e Kokallës në recepsion, pas ngjarjes.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, gjatë paraqitjes së provave tha se provat janë sigurua nga kamerat e hotelit Swiss Diamond.
“Fotografia nr. 50, e cila është e siguruar nga kamerat e hotelit Swiss Diamond, shihen personat Naim Murseli së bashku me Kushtrim Kokallën se si hyjnë në hotel, në ora 01:25 minuta pas qëndrimit në polici të Naim Murselit”, tha ajo.
Duke vijuar me shpjegimin e provave, Perlinçeviq u ndal edhe te fotografitë tjera, duke theksuar:
“Në fotografinë 51 e shohim në recepsion personin Kushtrim Kokalla. Fotografia 52, po ashtu në recepsion të hotelit Swiss Diamond, e shohim personin Kushtrim Kokalla ku bën një pagesë dhe shohim në duart e tij para. Këto janë tri foto që i kemi nga hoteli Swiss Diamond”, tha ajo.

