Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ka fituar padinë ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), pasi Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka shpallur të paligjshëm vendimin e 17 janarit 2025 për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e Kryetarit të KPM-së.
Sipas njoftimit të IKD-së, Gjykata Themelore ka konstatuar se nuk qëndrojnë pretendimet e KPM-së lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe organizative të institucionit, duke theksuar se pavarësia nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për zbatimin e ligjit.
“Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndër të tjera, theksohet qartësisht se Gjykata nuk i ka pranuar pretendimet e KPM-së lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe organizative të saj. Sipas Gjykatës, ‘pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të zbatuar ligjin’”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
IKD ka bërë të ditur se përmes padisë kishte kërkuar shfuqizimin e ndryshimit të Rregullores së Punës së KPM-së, si dhe deklarimin e paligjshëm të vendimit për zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni. Sipas IKD-së, kjo padi ishte fituar fillimisht në Gjykatën Supreme, e cila kishte shpallur të paligjshëm ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së, ndërsa vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore paraqet vazhdimësi të këtij suksesi ligjor.
“Vendimi i sotëm, i nxjerrë nga Gjykata e shkallës së parë, paraqet një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë në punën e KPM-së nga veprimet e kundërligjshme të vet këtij institucioni”, thuhet më tej në njoftim.
IKD ka theksuar se e mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke vlerësuar se ky aktgjykim, pas atij të Gjykatës Supreme, përbën një fitore të rëndësishme për mbrojtjen e ligjshmërisë në punën e KPM-së.
“Ashtu siç ka avokuar vazhdimisht për mbrojtjen e pavarësisë së KPM-së nga ndërhyrjet e jashtme, IKD vazhdon të avokojë edhe për mbrojtjen e ligjshmërisë së brendshme të këtij institucioni, e cila nuk u respektua në rastin konkret. Veprimet e KPM-së kanë cenuar ligjshmërinë dhe besimin e publikut ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues”, thuhet në njoftimin e IKD-së, duke shtuar se ligjshmëria është mbrojtur përmes vendimeve gjyqësore që shpallën të paligjshme vendimet e marra nga vet KPM-ja.
Njoftimi i plotë:
IKD fiton rastin ndaj KPM-së, Gjykata Themelore shpall të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së
Prishtinë, 22 dhjetor 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, lidhur me padinë e iniciuar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Përmes këtij vendimi, Gjykata e ka shpallur të paligjshëm vendimin e datës 17 janar 2025 për zgjedhjen e z. Besnik Berisha në pozitën e Kryetarit të KPM-së.
Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndër të tjera, theksohet qartësisht se Gjykata nuk i ka pranuar pretendimet e KPM-së lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe organizative të saj. Sipas Gjykatës, “pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të zbatuar ligjin”.
Përmes padisë, IKD kishte kërkuar shfuqizimin e ndryshimit të Rregullores së Punës së KPM-së, si dhe deklarimin e paligjshëm të vendimit të KPM-së për zgjedhjen e Kryetarit të saj. Kjo padi ishte fituar nga IKD fillimisht në Gjykatën Supreme, e cila kishte shpallur të paligjshëm ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së. Vendimi i sotëm, i nxjerrë nga Gjykata e shkallës së parë, paraqet një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë në punën e KPM-së nga veprimet e kundërligjshme të vet këtij institucioni.
IKD mirëpret këtë vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili, përmes aprovimit të padisë së iniciuar nga IKD, ka deklaruar të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së. Ky vendim, pas atij të Gjykatës Supreme, paraqet një fitore të rëndësishme në mbrojtjen e ligjshmërisë në punën e KPM-së.
IKD, ashtu siç ka avokuar vazhdimisht për mbrojtjen e pavarësisë së KPM-së nga ndërhyrjet e jashtme, vazhdon të avokojë edhe për mbrojtjen e ligjshmërisë së brendshme të këtij institucioni, e cila nuk u respektua në rastin konkret. Veprimet e KPM-së kanë cenuar ligjshmërinë dhe besimin e publikut ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues. Kjo ligjshmëri u mbrojt nga Gjykata përmes vendimeve që shpallën të paligjshme vendimet e marra nga vet KPM-ja.