Vetëm prokurori në seancë, dështon seanca për sulm ndaj bashkëshortes

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në mungesë të të akuzuarit L.L., dhe të dëmtuarës, ka dështuar të mbahet seanca ku i akuzuari po ngarkohet për sulm ndaj bashkëshortes së tij NN.

Sipas procesverbalit të seancës, gjyqtari i rastit, Albert Haliti konstatoi mungesën e të akuzuarit L.L., për të cilin tha se kjo Gjykatë ka dëshmi se është ftuar me rregull, ndërsa për mungesën e të dëmtuarës NN., tha se nuk ka provë se është ftuar me rregull, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në seancë prezantoi vetëm prokurori Musa Mehaj, ndërsa për të akuzuarin Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim. Ndërkaq, për të dëmtuarën, kjo Gjykatë do të lëshojë urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca u shty për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 12 dhjetor 2025 në Prishtinë, i pandehuri L.L, akuzohet se me dashje dhe me qëllim të cenimit të diniitetit në marrëdhënien familjare, ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij NN., pasi që i pandehuri është kthyer nga Franca në Kosovë me dy fëmijët, pa pëlqimin e të dëmtuarës dhe pasi që e dëmtuara ka ardhur në Kosovë dhe pas një mosmarrëveshje që kishin në mes vete lidhur me kthimin e fëmijëve në Francë dhe kundërshtimi i të pandehurit që fëmijet të shkojnë me nënën e tyre në Francë, atëherë i pandehuri është nervozuar dhe e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte dhe me shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke e larguar nga shtëpia, e pa i shkaktuar lëndime trupore.

Për këtë, L.L., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm”, nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

Të ngjashme