Abdixhiku: Suhareka ka potencial të jashtëzakonshëm, por ka nevojë për mbështetje serioze

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, zhvilloi sot takim elektoral me qytetarët e Suharekës, ku foli për potencialin bujqësor dhe ekonomik të qytetit, por edhe për sfidat që përballen familjet dhe rinia lokale për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeverisja qendrore, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku premtoi investime në arsim, shëndetësi dhe siguri, përfshirë pagë më të lartë për mësuesit dhe policët, punësim të garantuar për të diplomuarit dhe ndërtimin e Qendrës së re Klinike.

“Suhareka ka potencial të jashtëzakonshëm. Tokë pjellore, traditë të fortë bujqësore e blegtorale, prodhim vendor, biznes familjar, rini punëtore dhe shpirt organizimi. Është qytet që e mban ekonominë reale në këmbë. Por përkundër këtij potenciali, Suhareka është përballur me mungesë mbështetjeje serioze nga qeverisja qendrore. Me politika të gabuara, me harresë dhe me mungesë vizioni afatgjatë. Gjendja ekonomike sot është e rëndë për shumë grupe shoqërore. Familjet po përballen me rritje të kostos së jetesës, ndërsa të ardhurat nuk po e ndjekin këtë rritje. Çmimet janë rritur, shpenzimet janë shtuar, ndërsa paga dhe mbështetja shtetërore kanë mbetur prapa. Në Suharekë, ku shumica e familjeve jetojnë nga puna, nga bujqësia, nga bizneset e vogla dhe nga përpjekja e përditshme, kjo peshë ndihet dyfish. Çmime të paqëndrueshme, mungesë tregu të sigurt, subvencione të vonuara ose të pamjaftueshme, mungesë infrastrukture dhe mungesë strategjie kombëtare për prodhimin vendor.  Suhareka ka qenë dhe mund të jetë sërish një nga shtyllat bujqësore të Kosovës, por pa politika serioze, ky potencial po shfrytëzohet vetëm pjesërisht. Dhe kjo është padrejtësi për njerëzit që punojnë tokën çdo ditë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai theksoi nevojën për një shtet funksional dhe politika serioze që të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve si Suhareka.

“Të rinjtë e Suharekës janë punëtorë, të përkushtuar dhe të gatshëm të kontribuojnë. Por shumë prej tyre sot ndihen të lënë pas. Studiojnë, diplomohen, por nuk gjejnë vend në tregun e punës. Dhe kur rinia nuk sheh perspektivë, ajo largohet. Kjo nuk është vetëm humbje për familjen – është humbje për qytetin dhe për shtetin. Edhe të moshuarit po jetojnë me pensione të pamjaftueshme. Njerëz që kanë punuar gjithë jetën, sot mezi përballojnë shpenzimet bazë. Pensioni nuk është lëmoshë. Pensioni është dinjitet. Dhe ky dinjitet sot po cenohet. Por për ta kuptuar pse gjendja sot është e tillë, duhet ta themi hapur: viti i fundit ka qenë vit i bllokadës institucionale, ndërsa pesë vitet e fundit kanë qenë vite të humbura për Kosovën. Institucionet janë paralizuar. Vendimmarrja është bllokuar. Konfliktet politike dhe shkeljet kushtetuese kanë prodhuar pasiguri. Dhe kur shteti bllokohet, qytete si Suhareka mbeten pa investime, pa projekte dhe pa përkrahje. Pesë vite qeverisje populiste nuk kanë sjellë zhvillim të qëndrueshëm. Kanë sjellë zhurmë pa rezultate. Premtime të mëdha pa mbulim. Propagandë në vend të punës. Qytete punëtore si Suhareka janë lënë të presin, ndërsa qeveria është marrë me konflikte dhe justifikime. Kjo nuk është qeverisje – kjo është humbje kohe. Në këtë moment, Kosova ka nevojë për rikthim të shtetit funksional. Dhe për këtë, Lidhja Demokratike e Kosovës është domosdoshmëri e kohës”, theksoi kandidati pwr kryeminsitwr.

“Ne investojmë në arsim, sepse pa dije nuk ka zhvillim. Sepse një qytet që jeton nga puna ka nevojë për dije që ta çojë punën përpara. Pagë 1 000 euro për mësuesit, sepse mësuesi i respektuar ndërton shoqëri të fortë. Dhe investim prej 1 miliard eurosh në çerdhe dhe mësim tërëditor, sepse arsimi fillon herët dhe sepse fëmijët e Suharekës meritojnë kushte të barabarta. Ne investojmë te të rinjtë, sepse rinia është e ardhmja e këtij vendi. Punësim i garantuar për çdo të diplomuar për gjashtë muaj me pagesë 500 euro. Trajnim në teknologji informative për 40 mijë të rinj. Sepse nuk duam rini që pret, por rini që ecën përpara dhe ndërton këtu. Ne investojmë në shëndetësi, sepse shëndeti nuk pret. Sepse sëmundja nuk pyet për status, për moshë apo për vendbanim. Ndërtimi i Qendrës së Re Klinike me 500 milionë euro është investim në jetë dhe në dinjitet. Ne investojmë në siguri. Pagë 900 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit. Sepse ata që na mbrojnë meritojnë respekt dhe shtet serioz pas vetes”, potencoi ai.

Të ngjashme