Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që e dogji autoambulancën në Rahovec

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 20:33 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ndaj të pandehurit me inicialet H.H., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Bëhet e ditur se i pandehuri në përpjekje për t’iu shmangur zyrtarëve policorë, ka shkuar në drejtim të QMF-së, dhe aty ndez një zjarr të përmasave të mëdha, duke djegur një autoambulancë dhe pjesën ballore të objektit të QMF-së, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri H.H., më datë 21.12.2025, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc, Komuna e Rahovecit, ka ndezur zjarr me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, përkatësisht të të dëmtuarit R.H., në ditën kritike, duke shfrytëzuar orët e hershme të mëngjesit dhe pasi ka kuptuar se ishte në ndjekje nga patrulla policore, në largim e sipër ka ndezur mjete piroteknike dhe më pas arrin të hyjë në shtëpinë e të dëmtuarit, ku i ka vënë zjarrin objektit përcjellës të shtëpisë, duke dëmtuar mjete pune, goma të veturës, karrige dhe gjësende të tjera, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë.

I pandehuri që nga data 21 dhjetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.

Të ngjashme