Në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës, sot është realizuar procedura e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Gjykatës.
Me këtë rast, gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka pranuar zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilën ia ka dorëzuar ushtruesja e detyrës së kryetares, gjyqtarja Ilire Vitija Bajraktari.
Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, Kryetari i sapoemëruar ka shprehur mirënjohje për gjyqtaren Vitija Bajraktari për kontributin dhe angazhimin e saj gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës së kryetares dhe gjatë periudhës si nënkryetare, duke u zotuar se do të angazhohet maksimalisht në ushtrimin e funksionit për mandatin pesëvjeçar. Po ashtu, Kryetari Arrni ka theksuar se prioritet i veprimtarisë së tij do të jetë forcimi i një gjyqësori të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës.
Gjyqtari Ngadhnjim Arrni është zgjedhur Kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës me datë 26 dhjetor 2025, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

