Bashkimi Evropian, në reagimin e tij të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka theksuar pritjen që qeveria e re të formohet sa më shpejt dhe që bashkëpunimi me institucionet evropiane të vazhdojë pa vonesa.
BE-ja vë theks të veçantë në domosdoshmërinë e ratifikimit të marrëveshjeve që burojnë nga Plani i Rritjes, në mënyrë që Kosova të ketë qasje në fondet përkatëse evropiane. Gjithashtu, është përmendur edhe çështja e heqjes së masave ndaj Kosovës.
Këto mesazhe janë përfshirë në një deklaratë të përbashkët të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, si dhe komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
“Të dielën, më 28 dhjetor, populli i Kosovës ushtroi të drejtën demokratike duke hedhur votën e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pas ngërçit politik pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij vitit, presim me padurim formimin e shpejt të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në. Procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike”, thuhet në komunikatë.
“Ne i bëjmë thirrje Parlamentit, sapo të formohet, të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar kohor i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë sipas Planit të Rritjes, në dobi të popullsisë së saj”.
Në të njëjtën komunikatë, kujtohen edhe obligimet nga procesi i dialogut.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të jetë e vetmja mënyrë që të dyja të arrijnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Ne presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen pa vonesa ose parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të presë një takim të nivelit të lartë sapo të lejojnë kushtet”, theksohet në komunikatë.