Dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë lënduar si pasojë e një shpërthimi dhe zjarri që ka përfshirë një bar në qendrën skijimore të Crans-Montana në Zvicër, kanë bërë të ditur autoritetet.
Sipas Policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 01:30 sipas kohës lokale në lokalin “Constellation Bar”.
Kreu i sigurisë në rajon ka bërë të ditur se në këtë incident janë përfshirë persona të nacionaliteteve të ndryshme, pa dhënë detaje të tjera.
Pamje të paverifikuara që po qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë zjarr të madh në barin ku po mbaheshin festimet e Vitit të Ri.
Autoritetet kanë njoftuar se është hapur një linjë ndihmëse për familjarët e personave të prekur nga kjo ngjarje, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe hetimet janë duke vazhduar.
Crans-Montana është një qendër luksoze skijimi e vendosur në Alpet Zvicerane, rreth dy orë larg kryeqytetit të Zvicrës, Bern.