Nexhat Daci vlerësohet për rolin kyç në ndërtimin e shtetit dhe konsolidimin e demokracisë

Prishtinë | 02 Jan 2026 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Në Akademinë Përkujtimore për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, institucione të larta të vendit dhe personalitete të shquara u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të politikës dhe akademisë kosovare, raporton Ekonomia Online.

Daci, nga krerët e shtetit u vlerësua se la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, duke shërbyer në disa role kyçe gjatë karrierës së tij, përfshirë kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e përshkroi Dacin si një personalitet të jashtëzakonshëm, i cili e kuptoi thellësisht rolin e tij historik dhe përgjegjësinë ndaj popullit.

“Sot jemi mbledhur për ta nderuar jetën dhe veprën e një njeriu që i përket kategorisë së njerëzve që historia flet me respekt të jashtëzakonshëm. Jemi mbledhur për ta dhënë lamtumirën Nexhat Dacit, me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të pa lëkundur. Ai i shërbeu Kosovës si kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pa shlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë”, tha ai.

Ajo theksoi rolin e tij të pazëvendësueshëm gjatë periudhave më të vështira për Kosovën.

“Në periudha më të rënda për popullin tonë, ai u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova në këtë kauzë. Në atë epokë ku mençuria ishte aq e nevojshme sa edhe guximi, ai e zgjodhi rrugën e urtësisë, vizionit afatgjatë dhe të përgjegjësisë shtetërore. Kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës ishte i qetë, por i thellë. Si kryetar Kuvendi ai e kuptonte se demokracia nuk ishte vetëm procedurë, por ishte edhe kulturë; nuk ishte vetëm rregull, por edhe respekt. Ai besonte në dialog, ligj në argument dhe në forcën e institucioneve që e mbijetojnë secilin individ. Kjo ishte filozofia e tij shtetformuese,” tha ajo.

E para e vendit në përfundim të fjalës së saj tha se sot nuk po i jepet lamtumira vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë e dijes.

“Nuk po i themi lamtumirë vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë e dijes. U prehtë i qetë në dheun e Kosovës së lirë dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për akademik Nexhat Daci”, përfundoi Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e përshkroi Nexhat Dacin si një intelektual shembullor, që i bashkonte dijen, urtësinë dhe përgjegjësinë publike.

“Një personalitet i rrallë, që i bashkonte dijen me shtetin, mendimin akademik me përgjegjësinë publike dhe urtësinë personale me interesin e përgjithshëm të republikës sonë. Ai ishte shembull i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën jo vetëm si profesion, por si mision kombëtar dhe mjet të thelbësor të emancipimit tonë shoqëror. Për akademikun Daci, dija ishte përgjegjësi e shenjtë publike dhe shtylla e vetme mbi të cilën duhet të planifikohej zhvillimi i shtetit dhe shoqërisë sonë,” tha ai.

Të ngjashme