“Mendimi për Motin”, parashikimi për dy javët e para të janarit

Prishtinë | 02 Jan 2026 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Meteorologu kosovar, Mendim Rugova, ka thënë se gjatë fundjavës së parë të vitit 2026 do të ketë reshje të shiut , për shkak të masave të ngrohta që do të depërtojnë mbi Kosovën nga Mesdheu.

Sa i përket javës së dytë të janarit, Rugova thotë se do të ketë lagështi, derisa temperaturat mund të rriten apo të shkojnë në vlera ekstreme në minus.

Njoftimi i plotë i “Mendimit për Motin”

 Shi dhe temperatura në rritje gjatë fundjavës së parë të vitit 2026

Mendimi për motin – 2.01.2026 – Trendet dyjavore

Më shumë vransira parashihet të kalojnë mbi vend përgjatë fundjavës së parë të vitit 2026. Kohëpaskohe do të shoqërohen me të reshura shiu, meqenëse masa më të ngrohta nga Mesdheu do të depërtojnë mbi vend e rajonin tonë. Temperaturat maksimale shënojnë rritje deri në 9C e 11C, derisa minimalet rriten deri në 5C. Frynë erë mesatare jugore 5-12m/s. Orëve të mbrëmjes, ditën e diel nuk përjashtohet mundësia, që me një rënie të temperaturës pranë 0C dhe ndryshimin e drejtimit të erës nga verilindja, reshjet e shiut të përzien edhe me borë.

Vransirat e reshjet do të na përcjellin edhe ditëve të para të javës së parë të janarit, kryesisht të shiut. Temperaturat parashihet të jenë mbi vlera mesatare, me maksimale prej 7C e 8C, derisa edhe minimalet mbesin ende të larta 3C e 5C. Në pjesën e dytë të javës pritet të ketë një pauzë nga të reshurat. Do të ketë edhe intervale me diell, mirëpo temperaturat pësojnë një rënie më të theksuar, me minimale që mund të zbresin deri në -8C e -10C, ndërsa maksimalet luhaten ndërmjet -1C e 3C. Përgjatë fundjavës, së 10 e 11 janarit, sipas këtyre parashikimeve të fundit, ekzistojnë mundësi për reshje të dobëta dëbore, nëse temperaturat mbesin me këtë tendencë të vlerave negative.

Javën e dytë të janarit, paqartësitë janë më të mëdha ndërmjet modeleve numerike. Paraqiten situata ku temperaturat marrin një trend të rritjes, sërish mbi vlera mesatare, deri në 7C e 10C, maksimalet, ndërsa minimalet, të shënojnë rritje, apo edhe të thellohen në vlera më ekstreme negative. Sinjalet për të reshura nuk mungojnë. Një indikator, që janari do të vazhdoj të mbetet edhe më tutje i lagësht me të reshura përgjatë gjysmëmujorit të parë. Patjetër reshjet mund të jenë më shumë në formë shiu, mirëpo nëse depërtojnë masa më të ftohta atëherë kryesisht do të jenë dëbore.

Të ngjashme