Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ka thyer rekordin e votave të marra në vitin 2021.
Nga rezultatet e deritashme, të procesuara prej vendvotimeve brenda Kosovës dhe jo plotësisht ato nga diaspora dhe me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë më shumë se 447 mijë vota, duke u bërë subjekti i parë në histori të Kosovës që arrin këtë shifër. Aktualisht në përqindje kjo parti ka marrë fiks 50 për qind të votave.
Rekordi paraprak mbahej pikërisht nga kjo parti. Në vitin 2021, partia e Albin Kurtit kishte marrë 438 mijë e 335 vota apo 50.28 për qind të votave.
Në shkurt të 2025-s ajo mbeti parti e parë, por mori 396 mijë e 787 vota apo 42.3 për qind.
Edhe Albin Kurti, kandidat i VV-së për kryeministër, me më shumë se 367 mijë vota është bërë personi më i votuar në histori të Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara kishte rreth 30 mijë vota më pak.
Partia e dytë në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dalë Partia Demokratike me më shumë se 185 mijë vota, ndërsa Lidhja Demokratike e treta me më shumë se 120 mijë vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë rreth 50 mijë vota.