Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se situata nga vërshimet në këtë komunë është përkeqësuar gjatë ditës së shtunë, megjithëse deri më sot nuk ka pasur vështirësi të mëdha.
Ahmeti ka theksuar se dëmet kryesore janë regjistruar në dy ura, njëra në fshatin Sllamushë dhe tjetra në Gadime të Epërme, por se vështirësi ka edhe në lokalitete të tjera.
Siç tha kryetari, të gjitha rrugët janë të kalueshme, por me vështirësi të theksuara, sidomos në rrugët regjionale, përfshirë aksin nga rrethrrotullimi i Prishtina Mall drejt Ferizajt, si dhe rrugën nga Lipjani në Magbule, përkatësisht drejt aeroportit.
“Deri sot nuk kemi pasur vështirësi, sot janë shfaqur bukur shumë vërshime në shumë lokalitete dhe pjesë të lagjeve e fshatrave. Janë disa dëme që kanë ndodhur, kryesoret në dy ura, njëra në fshatin Sllamushë dhe tjetra në Gadime të Epërme. Ka vështirësi edhe në lokalitete të tjera. Ekipet tona janë në terren, në bashkëpunim me zjarrfikësit, stacionin policor dhe disa kompani private, duke provuar të hapin kanale të reja për ta orientuar rrjedhën e ujit.”
“Rrugët janë të kalueshme, por me shumë vështirësi, më së shumti në rrugët regjionale, në rrugën prej Prishtina Mall, pra nga rrethrrotullimi për Ferizaj, si dhe rrugën që shkon prej Lipjanit në Magbule, përkatësisht drejt aeroportit.”
Ai ka shtuar se ekipet komunale janë në terren dhe po veprojnë në bashkëpunim me zjarrfikësit, stacionin policor dhe kompani private, me qëllim të hapjes së kanaleve të reja për orientimin e rrjedhës së ujit.
Ahmeti bëri të ditur se Komuna i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me kërkesë që të pastrohet brezi rrugor dhe të hapen kanalet përkatëse, pasi këto rrugë janë nën menaxhimin dhe pronësinë e Ministrisë.
“I kemi shkruar Ministrisë së Infrastrukturës që brezin rrugor ta pastrojnë, pra të hapin kanale, sepse përveç që janë në menaxhim nga Ministria, janë edhe në pronësi të saj. Në disa lokalitete tona ne kemi ndërhyrë gjatë verës,” ka thënë kryetari për Ekonomia Online.
Ai theksoi se sot janë shfaqur shumë vështirësi, por se rrugët mbeten të menaxhueshme dhe nuk ka rrugë të mbyllura, megjithatë me vështirësi në qarkullim.
Kryetari Ahmeti njoftoi gjithashtu se janë formuar tri ekipe për vlerësimin e dëmeve, një për infrastrukturë, një për ekonomi familjare dhe një për bujqësi, të cilat janë në funksion.
“Funksionojnë ekipet tona për vlerësimin e dëmeve, janë tri ekipe – një në infrastrukturë, një në ekonomi familjare dhe një në bujqësi. Të gjitha janë në funksion, por pas ndalimit të reshjeve dhe stabilizimit të motit do të dalim në terren për të nxjerrë vlerësimet e sakta për dëmet.”
Në fund, Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të jenë në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet emergjente komunale.

