Vërshimet, AME me detaje për gjendjen në nivel vendi: E menaxhueshme, në disa rajone vështirësi

Prishtinë | 10 Jan 2026 | 21:10 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dhënë detaje lidhur me situatën e përgjithshme në vend që lidhet me zonat e prekura nga vërshimet.

Sipas njoftimit, gjendja në nivel të vendit është e menaxhueshme, derisa në disa rajone ka vështirësi për shkak të shiut dhe reshjeve të borës.

Njoftimi i plotë:

PËRDITËSIM I SITUATËS ME VËRSHIME

10.01.2026 08:00–16:00,
Në nivel vendi

Sipas informatave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat lokale të reagimit, situata e vërshimeve në Republikën e Kosovës paraqitet e menaxhueshme, por me vështirësi të theksuara në disa rajone për shkak të reshjeve të shiut dhe borës.

Zhvillime kryesore sipas rajoneve

Rajoni i Prishtinës: vërshime të lokalizuara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Drenas, Shtime dhe Graçanicë – kryesisht si pasojë e bllokimeve të kanalizimeve. Në disa raste ka pasur depërtime uji në oborre, bodrume dhe shtëpi banimi, pa evakuime.

Rajoni i Prizrenit: disa rrugë dhe ura të vërshuara, shembje dheu dhe intervenime teknike (Suharekë, Malishevë, Rahovec, Dragash). Rrugët kryesore janë nën monitorim, disa segmente të pakalueshme përkohësisht.

Rajoni i Mitrovicës: situata e qetë, pa rrezik të drejtpërdrejtë. Angazhime aktive për largim uji, me fokus në QKMF Mitrovicë. Vizitë në terren nga udhëheqja e AME-së dhe autoritetet komunale.

Rajoni i Pejës: disa intervenime për bllokim kanalizimesh dhe rrezik vërshimi; rruga Pejë–Rugovë me ujë në disa segmente (kujdes në qarkullim).

Rajoni i Gjakovës: situatë stabile, niveli i lumenjve në rënie; një bllokim rruge nga shembja e dheut.

Rajoni i Gjilanit: vërshime të lokalizuara, depërtime uji në bodrume dhe rrëshqitje dheu; ngritje e nivelit të lumenjve pa dalje nga shtrati.

Ndërhyrje dhe kërkesa

Kërkesa urgjente nga KEK dhe KOSTT për pompa thithëse me kapacitet të madh – të realizuara.

Në përcjellje dhe koordinim të kërkesave 24/7 për ndihmë nga gjitha institucionet lokale dhe infratruktures kritike në gjithe territorin.

Vlerësim i situatës

Ka përshkallëzim lokal të vërshimeve dhe vështirësi për qytetarët dhe shërbimet reaguese.

Vërehet ngritje e nivelit të ujit në disa lumenj dhe përrenj.

Situata monitorohet vazhdimisht.

Qytetarët ftohen të raportojnë çdo rrezik përmes numrit emergjent 112, 193 dhe 192.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent mbetet në gatishmëri të plotë 24/7, në koordinim me të gjitha institucionet relevante, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Qendra Operative e AME-s, MPB

Të ngjashme