Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Bordit të Paqes për Gazën, e ka ftuar presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan t’i bashkohet këtij bordi.
“Më 16 janar, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Bordit të Paqes, dërgoi një letër duke ftuar presidentin, Rexhep Tayip Erdogan, të bëhet anëtar themelues i Bordit të Paqes”, tha Burahanettin Duran, drejtori i Komunikimeve i Turqisë, në një postim në platformën sociale turke NSosyal, shkruan Anadolu.
Duran tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me Rezolutën 2803, mbështeti Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza, i cili u shpall nga Trump dhe çoi në një armëpushim në enklavën palestineze.
Në këtë kuadër, shtoi ai, Bordi i Paqes dhe strukturat e tij po krijohen për të garantuar sigurinë dhe rindërtimin e Gazës.