Kur 7-vjeçarja Rumaisa Khan u nis për në shkollë të enjten, ajo kishte veshur një palë këpucë krejt të reja, të cilat i ati sapo ia kishte blerë.
Brenda pak orësh, ajo kishte ndërruar jetë; ishte një nga 34 nxënësit që humbën jetën kur çatia e shkollës së tyre u shemb në qytetin Peshawar, në veriperëndim të Pakistanit.
“I kisha blerë një palë këpucë të reja, të cilat ajo i veshi atë ditë, pasi ia kishte dhuruar të vjetrat një kushërirës”, tha të premten i ati, Ismail Khan – pronar i një dyqani veshjesh – ndërsa komuniteti vajtonte viktimat e kësaj tragjedie, sipas Reuters.
Ai dhe vëllai i tij e nxorën Rumaisën nga rrënojat e Qendrës Arsimore “Al-Khair”, e cila ndodhet nëpër rrugica të ngushta në periferi të qytetit. Ata e dërguan me urgjencë në spital, ku u konstatua vdekja e saj.
“Ajo na la shumë herët”, tha ai.
Çanta shkollore, libra dhe orendi të thyera ishin shpërndarë në vendin ku çatia u shemb në mbi rreth 110 nxënës, të cilët po ndiqnin mësimin në tri klasa të ndryshme. Gjithsej 34 nxënës – të gjithë nën moshën 13 vjeç – si dhe një mësuese, humbën jetën.
Të enjten, para se policia dhe ekipet e shpëtimit të mbërrinin në vendngjarje, banorët e zonës gërmuan mes rrënojave me duar dhe i transportuan fëmijët e mbuluar me gjak drejt ambulancave që prisnin aty pranë.
Sipas zyrtarëve spitalorë, shumica e 45 fëmijëve të plagosur u larguan nga spitali pasi morën ndihmën e parë, por tre prej tyre mbeten në gjendje kritike.
Shefi i policisë së Peshawarit, Mian Saeed, deklaroi se çatia e shkollës ishte mbingarkuar për shkak të punimeve ndërtimore mbi një strukturë të dobët, gjë që çoi në shembjen e saj.
Ai shtoi se pronari i shkollës është arrestuar.