Nga Carrabregu i Deçanit, nga një familje ku atdheu ka qenë gjithmonë mbi gjithçka, vjen Adrian Bozhdaraj – emër që sot përfaqëson krenari, ndërsa nesër vazhdimësi të një rruge të shenjtë.
Në kohën më të vështirë për Kosovën, në luftën e lavdishme të UÇK-së, familja e Adrianit ishte e gjitha në shërbim të lirisë. Migjtë e tij ishin në frontet e luftës, secili duke dhënë kontributin e vet të pazëvendësueshëm. Ferizi, migja i tij, ra në burgjet e Serbisë, duke përjetuar dhimbjen dhe sakrificën për lirinë e këtij vendi. Afrimi, luftëtar i UÇK-së, pas çlirimit nuk u ndal, por vazhdoi shërbimin në radhët e TMK-së. Edhe Shabani, migja i tij, ishte pjesë e përpjekjes së përgjithshme për liri, duke qëndruar krah luftëtarëve të UÇK-së. Po ashtu edhe Gjaferi ishte pjesë e UÇK-së, duke dhënë kontribut të çmuar në luftën për liri.
Kjo familje nuk dha vetëm luftëtarë, por edhe dëshmorë. Daja i Adrianit, Arton Lokaj, dhe gjyshi i tij, Hysni Lokaj, ranë dëshmorë të kombit, duke vulosur me gjakun e tyre themelet e lirisë së Kosovës. Emrat e tyre mbeten të gdhendur në histori, ndërsa sakrifica e tyre jeton në brezat që vijnë.
Sot, Adriani po kryen shërbimin ushtarak në Zvicër, duke u përgatitur me disiplinë, dije dhe përgjegjësi. Ai është i gatshëm që, nëse vendi ka nevojë, ta vazhdojë rrugën e migjallarëve, të dajës e të gjyshit, dhe të japë kontribut të madh për Kosovën.