Është vlerësuar lartë kontributi profesorit Hilmi Cena, për të cilin u tha se do të mbahet mend si mësimdhënës i përkushtuar, një studiues i palodhur dhe një njëri i urtë, raporton Ekonomia Online.
Aty u lexua dhe një letër, nga bashkëpunëtori i tij, Fatgzim Latifi i cili tha se veç dhimbjes kanë edhe respektin për të.
Vajza Adelina Cena ka shprehur mirënjohjen për nderimin ndaj babait të tyre për çka tha se dëshira e tij ishte që të kujtohet si një profesor që ligjëroi me përkushtim.
“Prania juaj sot është një dëshmi se puna dhe përkushtimi i tij nuk u kufizua vetëm në sallën e ligjëratave, por vazhdon të jetojë te kolegët e kolegët. Ai vlerësonte mendimin kritik, punën e ndershme dhe përgatitjen e brezave të rinj për t’iu shërbyer komuniteteve. Nëse ka një trashëgimi që do të dëshironte të linte pas ajo është që të kujtohet si një profesor që ligjëroi me përkushtim, kureshtje dhe respekt për dijen dhe për studentët e tij. ky respekt ka një domethënie të veçantë për familjen tonë dhe do ta mbajmë gjithmonë me krenari në zemër”, u shpreh ajo.
Fatgzim Latifi nënvizoi se Cena la gjurmë të pashlyeshme në fushën e bujqësisë.
“Jemi mbledhur me dhembje por edhe me respekt të thellë për të kujtuar dhe nderuar jetën dhe veprën e një personaliteti të shquar të arsimit dhe shkencës shqiptare, siç ishte profesor doktor Hilmi Cena. Ai la gjurmë të pashlyeshme në fushën e bujqësisë, veterinarisë dhe edukimit universitar për studentë, profesorë, bashkëpunëtorë, shkencorë…Punimet e tij shkencore dëshmojnë seriozitet, thellësi kërkimore dhe përkushtim ndaj zhvillimit të shkencës veterinare në fakultetin e bujqësisë dhe veterinarisë”, tha mes tjerash ai teksa foli kontributin e tij që vlerëson se do të mbetet i çmuar.
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Arben Musliu tha se Cena ishte frymëzues për studentët.
“Sot jemi mbledhur për të nderuar veprën e profesorit tonë të nderuar, Hilmi Cena, i cili ndërroi jetë më 7 janar 2026. Largimi i tij nga jeta është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për fakultetin tonë dhe mbarë komunitetin akademik e shkencor të vendit. Profesori Hilmi Cena do të mbahet mend si një mësimdhënës i përkushtuar, një studiues i palodhur dhe një njeri i urtë që i dha kuptim dhe dinjitet profesionit të profesorit universitar. Me dekada të tëra ai kontribuoi në zhvillimin e shkencave bujqësore, duke dhënë dije, duke frymëzuar studentë dhe duke formuar kuadro të reja shkencore që sot vazhdojnë rrugën e tij. Ai ishte një shembull i përkushtimit, korrektësisë dhe dashurisë për punën. Studentët e kujtojnë për thjeshtësinë, urtësinë dhe kujdesin që tregonte ndaj tyre”, tha ai.



