Inspektorati Policor i Kosovës ka konstatuar dobësi në fushën e organizimit dhe të burimeve njerëzore, të cilat pasqyrojnë mosfunksionalizimin e ekipeve për hetimin e dhunës në familje në disa stacione policore, si dhe mosplotësimin e vendeve të punës në disa prej këtyre ekipeve.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se inspektimi është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025.
“Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: vlerësimi i kapaciteteve policore për trajtimin e rasteve, vlerësimi i reagimit policor dhe i hetimit të rasteve të dhunës në familje, vlerësimi i aktiviteteve policore në monitorimin e urdhrave mbrojtës, si dhe vlerësimi i përmbajtjes së dosjeve dhe evidencave”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim bëhet e ditur se në fushën e aktiviteteve operativo-hetimore janë evidentuar dobësi, të cilat tregojnë se në disa nga dosjet e inspektuara janë vërejtur mungesa të raporteve njoftuese për Prokurorin lidhur me dyshimet e arsyeshme për kryerjen e veprave penale, si dhe mosaplikimi i vlerësimit të rrezikut për viktimat sipas standardeve, në disa prej dosjeve të shqyrtuara.
Në kuadër të raportit, IPK ka dhënë gjashtë rekomandime, të cilat kanë të bëjnë me nevojën për funksionalizimin e plotë të ekipeve për hetimin e dhunës në familje, trajnimin e burimeve njerëzore të angazhuara në këto njësi, ngritjen e cilësisë së intervistave, zgjerimin e intervistave edhe me dëshmitarë të tjerë potencialë, hartimin e raporteve ditore mbi rastet, si dhe respektimin e zinxhirit të plotë komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale në Prokurorinë e Shtetit.