Rama me Netanyahun: Shqiptarët nuk u mblodhën në “mitingje urrejtjeje kundër Izraelit

Prishtinë | 26 Jan 2026 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë të përbashkët me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu në Knesset, deklaroi se shqiptarët ishin populli i vetëm në Europë që nuk u mblodhën në “mitingje urrejtjeje kundër Izraelit”, raporton Ekonomia Online.

“Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që kanë rrënjët në miqësinë e thellë, midis popujve shqiptarë dhe hebre. Për më shumë se njëherë hebrenjtë që iu ikin persekutimit në Perëndim erdhën u vendosen në brigjet tona. Trashëgimia unike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bëjnë lidhjen mes vendeve tona shumë të veçantë. E për mua, për ne është dëshmia e kurajës së gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka ta trashëgojmë brez pas brezi. Si qeveri, jemi të përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar dhe mban një qëndrim të vendosur kundër antisemitizmit. Edhe pse popullsia shqiptare me shumicë myslimane u bashkua me vuajtjen e popullit palestinez, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit. Kjo përbën kontrast të theksuar me atë që ka ndodhur në vende të tjera të Europës. Vendi ynë qëndron kundër antisemitizmit”, u shpreh Rama.

Në lidhje me ftesën për në Bordin e Paqes, Rama theksoi se me “Ftesën për në Bordin e Paqes e shoh jo vetëm si një njohje, por përgjegjësi morale. Do të mbështesim planin e paqes për Gazën të Presidentit Donald Trump dhe do luajmë rolin tonë brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës”.

Rama në përfundim të fjalimit të tij bëri ftesë të gjithë popullit hebre që ta vizitojnë Shqipërinë, e të zbulojnë siç tha ai një tokë të jashtëzakonshme jo veç nga natyra por edhe nga populli i saj.

Të ngjashme