Ismaili – Ahmeti: PDK e ka obligim politik dhe moral që nga kjo humbje të dalë më e konsoliduar

Prishtinë | 29 Jan 2026 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Ish-kandidatja për deputet nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili Ahmeti ka thënë se ndryshimi nuk premtohet por realizohet, dhe se mënyra se si reagohet ndaj humbjes e dallon pjekurinë politike.

Ajo në një shkrim në profilin e saj “facebook”, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka obligim politik dhe moral që nga kjo humbje të dalë më e konsoliduar, më demokratike dhe më afër qytetarëve.

Shkrimi i plotë:

Ndryshimi nuk premtohet, realizohet

Zhgënjimi pas zgjedhjeve është i kuptueshëm. Ai është pjesë e procesit demokratik dhe shoqëron çdo subjekt politik që merr seriozisht verdiktin e qytetarëve. Por mënyra se si reagohet ndaj humbjes e dallon pjekurinë politike.

Edhe këtu ka dy qasje të qarta:

 1. Ata që analizojnë, marrin përgjegjësi dhe punojnë për reformë.

 2. Dhe ata që zgjedhin justifikimet, fajësimet, kalkulimet dhe retorikën boshe.

Qasja e parë është e vetmja rrugë për rikthimin e besimit qytetar. Vetëm puna e mirëfilltë politike, reflektimi i sinqertë dhe organizimi i brendshëm mund të prodhojnë rezultate.

Qasja e dytë e thellon krizën dhe e largon subjektin nga realiteti dhe nga qytetarët.

Ndryshimi politik nuk vjen me deklarata emocionale, por me veprime konkrete.

Me punë të ndershme, pa alibi dhe pa kalkulime afatshkurtra.

Me vizion të qartë, program serioz dhe përgjegjësi kolektive.

Me disiplinë organizative dhe me respekt për votën e lirë.

Partia Demokratike e Kosovës ka obligim politik dhe moral që nga kjo humbje të dalë më e konsoliduar, më demokratike dhe më afër qytetarëve.

Sepse politika është shërbim publik.

Dhe sepse besimi i humbur fitohet vetëm me punë, me dëshmi konkrete veprimi dhe jo me fjalë.

Të ngjashme