Kjo fotografi i është dërguar REL-it nga OJQ Atra dhe tregon kushtet në një nga mjediset kolektive të akomodimit për punëtorët nga Bangladeshi, të punësuar në kompaninë kineze të gomave, Linglong.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se dhjetëra punëtorë nga Bangladeshi, të punësuar në një fabrikë gomash në verilindje të Serbisë, që është në pronësi kineze, janë përballur me abuzime në punë që mund të përbëjnë trafikim të qenieve njerëzore, duke rikthyer vëmendjen tek investimi kyç kinez që për vite me radhë është përballur me polemika lidhur me trajtimin e punëtorëve të huaj.Prokurorët serbë konfirmuan më 28 janar se kanë marrë një raport që pretendon se ka ndodhur trafikim i njerëzve dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve lidhur me punëtorët nga Bangladeshi në fabrikën e gomave Linglong që gjendet afër qytetit të Zrenjaninit.
Autoritetet thanë se çështja po shqyrtohet, por nuk kanë njoftuar për ndonjë aktakuzë.
“Një numër punëtorësh, me asistencë ligjore, arritën të marrin pagat e papaguara, dhe të gjithë punëtorëve iu kthyen pasaportat”, tha për Radion Evropa e Lirë Marija Andellkoviq, drejtoreshë e Astra-s, një OJQ serbe që mbështet viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo shtoi se disa punëtorë u transferuan në Qendrën shtetërore të Serbisë për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të Qenieve Njerëzore.Sipas Astra-s dhe grupeve të tjera që luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkan, të cilat bënë publike këto akuza gjatë një konference për media, më shumë se 40 punëtorë nga Bangladeshi shkuan në Serbi në qershor të vitit 2025 pasi u rekrutuan nga agjenci punësimi në Bangladesh.
Shumë prej tyre u futën në borxhe deri në 10.000 dollarë për të siguruar një vend pune, një praktikë që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, i bëri ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit edhe para se të arrinin në Serbi. Shumë punëtorëve po ashtu iu konfiskuan pasaportat sapo arritën në Serbi për të punuar në fabrikë.Këto akuza janë pjesë e fundit e një serie pretendimesh për punë me detyrim të lidhura me fabrikën Linglong, që paraqet një gur themel të partneritetit ekonomik të Serbisë me Kinën. Akuza të ngjashme më parë përfshinin punëtorë vietnamezë dhe indianë, gjë që nxiti paralajmërime nga institucione ndërkombëtare, përfshirë Parlamentin Evropian dhe Komitetin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Punëtorët nga Bangladeshi refuzuan të flasin për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se kanë frikë për sigurinë e tyre. Kompania Linglong nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave për koment