Rrokulliset një autobus me pelegrinë në Brazil, të paktën 15 të vdekur

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 18:30 | Nga Ekonomia Online

Së paku 15 njerëz kanë vdekur, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin u rrokullis në pjesën verilindore të Brazilit, sipas zyrtarëve lokalë.

Në autobus ndodheshin rreth 60 persona që ishin duke u kthyer nga një pelegrinazh, kur ai u përplas në një pjesë me kthesa të një autostrade në shtetin rural Alagoas të martën në mëngjes, raporton televizioni BBC.

Në një deklaratë thuhet se në mesin e të vdekurve ishin tre fëmijë, ndërsa disa prej të mbijetuarve u dërguan për trajtim në spital përmes helikopterit.

Në pamjet e publikuara në rrjete sociale, autobusi shihet i kthyer në krah si dhe ekipet emergjente afër mjetit. Autoritetet kanë nisur një hetim për rastin.

Autoritetet besojnë se shoferit i kishte humbur kontrolli mbi autobusin para se mjeti të dilte nga autostrada dhe të rrokullisej disa herë.

Pasagjerët po merrnin pjesë në atë që njihet si pelegrinazhi i Zonjës Sonë të Candeias-it, festival fetar në shtetin Ceara.

Autobusi ishte pjesë e një autokolone që po bartte qindra njerëz nga qyteti Coite do Noia për në Juazeiro do Norte – udhëtim i gjatë prej më shumë se 560 kilometrash që zakonisht zgjat rreth tetë orë.

Të ngjashme