Në fillim të zhvillimeve të mediave sociale ka pasur diskutime edhe teorike nëse kjo do ta ndryshojë qasjen e gazetarëve, do ta ndryshojë gazetarinë dhe format e të bërit gazetari. Në fakt disa prej këtyre janë ndryshuar, por nuk ka ndryshuar esenca e funksionit të gazetarisë për shoqërinë, e cila është raportimi i të vërtetës, përmes mekanizmave të standardeve profesionale, vlerave të lajmit dhe standardeve etike. Këtë janë filtrat që i sigurojnë publikut që të marrin informacion kualitativ, të verifikuar dhe informacion i cili është i dobishëm për ta
Nëse e shohim zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ka pas në standardet profesionale të gazetarisë, mundë t’i evidentojmë disa gjëra. E para, presioni kohor është rritur mbi gazetarët, kameramanët e të tjerët, të cilët kanë presion që të publikojnë materialet më shpejt. Ky presion në rastin e disa mediave në Kosovë ka ndikuar disa prej procedurave të anashkalohen, kryesisht që lidhen me verifikim të fakteve. Një studim pilot në vitin 2015 me mediat online në Kosovë, shumica e gazetarëve të pyetur, kishin deklaruar që ju duhen vetëm pesë deri në dhjetë minuta kohë prej momentit kur e shohin ndonjë informatë në media sociale, për ta publikuar si lajm në median e tyre. Verifikimi si proces mund të marrë kohë nga 20 apo 30 minuta deri në 20 apo 30 ditë, në rastet e gazetarisë hulumtuese, ndoshta edhe më shumë.
Tani nëse i shohim ndikimet e tjera që ka sjellë teknologjia në rastin e mediave të Kosovës, ne vërejmë edhe një ndryshim shumë të madh. Nëse flasim për mediat tradicionale, para web 2.0 dhe para mediave sociale, këto media i kanë pasur dy kufij të cilët kanë qenë vështirë të tejkalueshëm. Kufiri i parë, ta zëmë i gazetës, ka qenë kufi fizik, për shkak të të cilit është dashur të bëhet një përzgjedhje nga 200-300 ngjarje që kanë mundur të ndodhin në ditë është dashur të bëhet përzgjedhje dhe në gazetë me 36 faqe ke mundur të publikosh 50 apo 60 lajme në të gjitha rubrikat, lajmet ditore, rajonale, botërore, sporti etj. Pra, kufiri fizik e ka obliguar përzgjedhjen nga numri i madh i ngjarjeve që të paraqiten vetëm ato që redaksia i ka konsideruar më të rëndësishme. Në rastin e televizionit dhe radios, ka një kufij kohor, që është ende aktiv, i cili sërish ua bën të mundur gazetarëve që të përzgjedhin. Nga të gjitha ngjarjet që ndodhin në vend dhe botë, vetëm rreth 15 raportohen si lajme të cilat transmetohen brenda edicionit të lajmeve. Vetvetiu kjo mënyrë e përzgjedhjes, pra këta kufij, ai kohor dhe fizik, përbën një lloj të filtrimit të informatave duke u bazuar në standarde e vlera të profesionit, si rëndësia, afërsia me publikun, dobia shoqërore dhe vlerave të tjera. Tani këta kufij janë thyer nga Web 2.0 dhe nga mediat sociale dhe e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale, pra mund të publikosh kur të duash, sa të duash. Rrjedhimisht, sot shohim se shumë postime të fytyrave publike e politikanëve bëhen lajme për faktin se ka mjaftueshëm hapësirë, ka mjaftueshëm kohë. Thyerja e këtyre dy kufijve si rezultat i teknologjisë ka ndikuar që të ketë rënie të asaj që prezantohet si lajm.
Në këtë ambient të digjital, ku gara është shumë e madhe, synimet e mediave, duhet të mbesin të qarta, rritja e besimit të publikut, si vlerë dominuese duke e bërë të qartë dallimin nga influencerët, Youtuberët, TikTokerët, etj. Në një mjedis digjital ku publiku nuk i gjen as emrat e autorëve të teksteve, videove e përmbajtjeve të tjera, dhe nuk jemi të sigurt që ka një autorë, apo është “vetgjeneruar”, as emra redaktorësh, pronarësh e kompanish, mediat kredibile duhet të bëjnë dallimin. Ka disa teknika se si ky dallim mund të bëhet, nuk diskutohet më për respektim të standardeve profesionale dhe etike, sepse ato nënkuptohen, por elementet e transparencës si udhëzues, raporte vjetore, video e përmbajtje tjera që tregojnë se si gjykojnë që ngjarje që të bëhet lajm.
Pra, hapi i radhës u takon redaksive që të imponojnë këto vlera e standarde për gazetarët dhe redaktorë, sepse në fund të fundit nuk kanë çfarë fshehin nga publiku. Pra, të shfaqin emrat e autorëve dhe redaksisë, të publikojnë dokumente të kodit etik dhe standardeve profesionale të redaksive të tyre, të njoftojnë për lëshimet apo gabimet e bëra në publikime dhe t’i shpjegojnë ato. Pastaj, t’i publikojnë raportimet e shpenzimeve vjetore, të tregojnë procesin e verifikimit dhe mënyrës së raportimit, që ta rrisin besueshmërinë e publikut. Dhe krejt këto, nuk janë asgjë e re, përveç asaj që kanë aplikuar tashmë media të rëndësishme botërore, Reuters, BBC, CNN, Radio Evropa e Lirë, AFP, etj.