Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Prishtinë tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është “kërcënuar” për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, pasi nuk lejoi që prokurorët të kërkonin për “prova” edhe në zyrën e Presidentit në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Rama tha se Osmani nuk lejoi prokurorët që ta dhunonin zyrën e institucionit që udhëheqë.
“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot. Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit. Dhe kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet. Por, për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, tha Rama në ceremoninë e promovimit të librit “Kur heshtja flet” të ish-ambasadorit Ahmet Shala.