Hoti – Gërvallës: Sot fshihuni pas “hallkave”, por hallkat kanë emër – llogaridhënia nuk është raport, është dorëheqje

Prishtinë | 30 Tet 2026 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, raporton Eknomia Online.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka kritikuar institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e grave, duke kërkuar përgjegjësi nga drejtuesit e tyre.

Ai ka drejtuar kritika edhe ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke theksuar se institucionet nuk mund të fshihen pas përgjegjësive të ndara mes hallkave.

“Hallkat nuk dështojnë vetë. I dështojnë ata që i drejtojnë. Gjashtë vjet në pushtet, zoti Sveçla. Gjashtë vjet përgjegjësi për mbrojtjen e grave, zonja Gërvalla”, ka shkruar Hoti.

Më tej, ai ka pretenduar se Arlinda Zekaj kishte dhënë sinjale paraprake, të cilat, sipas tij, nuk janë marrë parasysh nga institucionet.

“Arlinda ju dërgoi sinjalet. Ju i latë të kalonin. Dhjetë minuta pas lënies në shtëpi nga organet e rendit, ajo ishte e vdekur”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Në fund të reagimit të tij, Hoti ka kërkuar llogaridhënie nga drejtuesit institucionalë, duke e cilësuar dorëheqjen si përgjegjësi për rastin.

“Sot fshihuni pas ‘hallkave’. Por hallkat kanë emër. Kanë ministër. Llogaridhënia nuk është raport. Është dorëheqje”, ka përfunduar Hoti.

Të ngjashme