Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun që i kanosej Arlinda Zekajt, para se ajo të vritej më 25 tetor, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, ku prezantoi raportin për veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast, Gërvalla ka thënë se dokumentacioni i shqyrtuar deri më tani ka nxjerrë në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime të institucioneve.
“Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse dhe analizon veprimet, por edhe mosveprimet e tyre, nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt më 10 korrik e deri te vrasja e saj më 25 tetor. Raporti është vetëm pjesërisht i plotë, sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuara nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre madje nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tash. Për disa çështje, presim ende dokumentacion dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze: vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, ka deklaruar Gërvalla.
LEXO EDHE:
Duke paraqitur kronologjinë e rastit, ministrja ka treguar se më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj.
Sipas Gërvallës, ajo kishte raportuar kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe e kishte informuar policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.
“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj 12-vjeçar. Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë, ajo raportonte se bashkëshorti, por edhe familjarë të bashkëshortit, të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhërmbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj. Pra, rreziku ishte raportuar shprehimisht dhe ishte i dokumentuar”, ka thënë ministrja.
Duke folur për përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Pejë, Gërvalla ka thënë se raporti ka evidentuar shkelje të afateve ligjore gjatë trajtimit të kërkesës për urdhërmbrojtje emergjente.
“Më 7 shtator, gjykata miratoi pjesërisht kërkesën për mbrojtje emergjente. Më 9 shtator, pra dy ditë më vonë, Arlinda Zekaj e kundërshtoi këtë vendim, sepse ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj”, ka deklaruar Gërvalla.

