Gjykata ia njeh të drejtën e kompensimit 25 mijë euro familjes së 3-vjeçares që vdiq nga shembja e murit në Qendrën Historike të Prizrenit

Prishtinë | 22 Shk 2026 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Ka marrë epilog procesi gjyqësor në procedurë civile pranë Gjykatës Themelore Prizren– dega në Suharekë, për rastin e 3-vjeçares Xh.G., e cila kishte vdekur nga rënia e murit të një shtëpie brenda Qendrës Historike në Prizren. Qeveria e Kosovës- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit detyrohet se në emër të dëmit material dhe jomaterial t’ia kompensojë nënës së viktimës, Lirije Gashi 15 mijë euro, vëllait binjak të viktimës- të miturit D.G., 8 mijë euro, si dhe për shpenzimet e varrimit dhe ngritjes së përmendores 2 mijë euro.3-vjeçarja kishte humbur jetën pas shembjes së murit në rrugën “Marin Barleti” në Prizren më 6 qershor 2016, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Sipas vendimit të marrë nga gjykatësi Shqipron Sedolli, në rigjykim, Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e Lirije Gashit dhe djalit të saj të mitur D.G (të cilin e përfaqëson e ëma), duke i kompensuar për dëm material në shumën prej 2 mijë, për dëm jomaterial– dhimbjet shpirtërore për Lirijen prej 15 mijë euro, kurse për D., 8 mijë euro dhe për shpenzime të procedurës prej 2 mijë e 550 euro, duke obliguar për pagim të këtyre shumave Qeverinë- Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.Për këto pagesa, Gjykata ka përcaktuar edhe kamatën ligjore prej 8%, ndërkaq ka refuzuar si të pabazuara shumat tjera të kërkuara me padi.


Sipas vendimit, paditësit Lirije Gashi (nëna e viktimës), Hajrije Gashi (gjyshja) dhe D.G (vëllai i mitur i viktimës) më 2 korrik 2020 kanë paditur Komunën e Prizrenit, ndërsa më tutje kanë zgjeruar padinë edhe ndaj Qeverisë së Kosovës– Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke kërkuar kompensim të dëmit material e jomaterial në shumë prej 132 mijë e 620 euro.Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 23 mars 2025.
Gjatë rigjykimit, paditësit kanë kërkuar që në emër të dëmit material për shpenzime të varrimit dhe ngritjes së përmendores të kompensohen me shumën prej 2 mijë e 620 euro, për dëmin jomaterial shumën prej 50 mijë euro për Lirijen, 40 mijë euro për Hajrijen si gjyshe e të ndjerës dhe 40 mijë euro për D.G., vëllanë e të ndjerës.Gjithashtu, paditësit kanë kërkuar edhe shpenzimet e procedurës që u janë shkaktuar gjatë procesit gjyqësor.


Komuna e Prizrenit, përmes përgjigjes në padi edhe në rigjykim, ka theksuar se nuk është përgjegjëse për rastin tragjik, krejt kjo me arsyetimin që nga inspektimeve gjatë vitit 2015 ishte konstatuar se shtëpitë në pjesën historike të Prizrenit paraqesin rrezik për banorët dhe kalimtarët. Kurse, më 2016 është konstatuar se shtëpitë në atë pjesë të qytetit nuk janë për jetesë dhe paraqesin rrezik për qytetarët dhe kalimtarët.Më tutje, sipas Komunës, kryetari kishte marrë vendim që të bëhet pastrimi- largimi i materialeve të dheut nga objekt në rrënim e sipër. Po ashtu, është miratuar propozimi i Drejtorisë së Urbanizmit për restaurimin e fasadave në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. Ndërsa, ishte urdhëruar familja e viktimës që të largohen nga ajo pjesë për shkak të ekzistimit të rrezikut, këtë fakt thuhet se e ka pranuar edhe pala paditëse duke thënë se e kishin liruar shtëpinë por janë kthyer përsëri në pamundësi të gjetjes së strehimit.


Ndërkaq e paditura e dytë, Qeveria e Kosovës– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë rigjykimit nuk është paraqitur në proces, përkundër që ishte e ftuar nga gjykata, me ç’rast Gjykata ka vijuar me gjykim në mungesë ndaj të paditurës në fjalë.Mirëpo, për këtë të paditur, Avokatura Shtetërore ka paraqitur dy parashtresa, duke përmendur se si gjykatë kompetente për gjykim të rastit është Gjykata Themelore në Prishtinë, ku edhe e ka selinë e paditura. Gjithashtu, Avokatura ka kontestuar edhe lartësinë e kërkuar të kompensimit të dëmit material e jomaterial dhe më tutje se nuk ka lidhje shkak-pasojë që Qeveria e Kosovës– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta ketë në rastin konkret. Po ashtu, ka pretenduar se përgjegjëse është Komuna e Prizrenit.


Më tutje, Gjykata ka vijuar me administrim të provave materiale, ndër të tjera skica e vendit të ngjarjes se si kishte ardhur deri te vdekja tragjike e 3-vjeçares për shkak të shembjes së murit në Qendrën Historike të Prizrenit e deri te fotografitë e lapidarit për të ndjerën.Pas vlerësimit të provave, Gjykata në Suharekë gjeti se kërkesëpadia e paditësve Lirije Gashi dhe D.G., kundër të paditurës së dytë- Qeveria e Kosovës- MKRS, është pjesërisht e pabazuar, ndërsa kundër të paditurës së parë padia e Lirije Gashit, Hajrije Gashit dhe D.G., është tërërisht e pabazuar, si dhe kërkesëpadia e Hajrije Gashi ndaj të paditurës së dytë është e pabazuar.

Prandaj, Gjykata ka ardhur në përfundimin se Qeveria e Kosovës– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përgjegjëse si administruese apo menaxhuese e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, pra kjo përgjegjësi është objektive dhe rrjedh në bazë të ligjit.

Sipas Gjykatës, Qeveria e Kosovës– MKRS nga baza e përgjegjësisë objektive është përgjegjëse për shkaktimin e dëmit ndaj Lirije dhe D.G., dhe kjo përgjegjësi rrjedh përmes ligjeve që rregullojnë fushën e kulturës, respektivisht trashëgiminë kulturore që menaxhon me to.

Të ngjashme