Biserko mbështet propozimin e Kurtit për gjykatë të posaçme për krimet me snajper në BeH – Shesheli zbuloi praninë e Vuçiqit

Prishtinë | 23 Shk 2026 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Gazeta britanike The Times ka vazhduar hetimin për të ashtuquajturin “Sarajevo Safari”. Duke u bazuar në dëshmitë e disa personave, ajo ka raportuar se një grua e pasur rumune, identiteti i së cilës nuk bëhet publik, në fillim të viteve ’90 dyshohet se ka vrarë me snajper dhjetë qytetarë të Sarajevës, gjatë kohës kur qyteti ndodhej nën rrethim pothuajse katërvjeçar nga forcat e serbëve të Bosnjës.

Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se nuk është e befasuar që kjo histori tronditëse po aktualizohet pas kaq shumë vitesh.

“Rrethimi i Sarajevës nuk ishte vetëm një operacion ushtarak, por një proces i kolapsit të plotë moral, në të cilin vrasja e civilëve u bë normale. Nëse akuzat për ‘Sarajevon Safari’ vërtetohen, nuk do të kemi të bëjmë vetëm me krim lufte, por me dëshmi të një dehumanizimi që tejkalon ideologjinë, kombin dhe ushtrinë, dhe hyn në sferën e kulturës së dhunës.

Për këtë ngjarje flitet vetëm pas tridhjetë vjetësh jo sepse faktet nuk kanë qenë të njohura apo sepse historia nuk ka qenë e qartë, por sepse shoqëritë vetëm tani po bëhen të gatshme të pranojnë atë që më herët nuk mund ta përballonin. Një gazetar italian e ka hetuar këtë rast për vite me radhë dhe vetëm pasi dorëzoi kallëzim penal në një gjykatë të Milanos, tema u bë objekt raportimesh të shumta mediatike. Shpresoj që kjo të çojë më në fund edhe në një hetim serioz”, deklaron Biserko për Slobodna Bosna.

Edhe Vojislav Šešelj ka folur dikur për rrethimin e Sarajevës dhe për luftimet e radikalëve të tij – përfshirë edhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç – nga varrezat hebraike, por më pas i ka mohuar të gjitha deklaratat e tij. A mund të konsiderohet Šešelj një dëshmitar i vlefshëm?

“Shtrohet pyetja se si duhet trajtuar dëshmia e aktorëve politikë që njëkohësisht janë edhe pjesë e propagandës dhe burime potenciale informacioni. Vojislav Šešelj i përket një kategorie të veçantë dëshmitarësh, që praktika gjyqësore i cilëson si të pasigurt, por që megjithatë zotërojnë njohuri të brendshme”, thotë Biserko.

Por kur duhet besuar Šešeljit – kur thotë se radikalët qëllonin nga Varrezat Hebraike drejt Sarajevës, apo kur i mohon këto deklarata?

“Fakt është se ai disponon informacione reale, por motivi i tij ka qenë gjithmonë interesi politik, jo e vërteta. Për këtë arsye, deklaratat e tij kanë vlerë vetëm brenda kontekstit në të cilin janë dhënë”.

Cili është ky kontekst?

“Në atë kohë, Šešelji ndodhej në Hagë, ku po gjykohej për krime lufte. Sjellja e tij gjatë gjyqit ishte e mbushur me deklarata që synonin të diskreditonin gjykatën dhe dëshmitarët e prokurorisë, gjë që deri diku edhe e arriti. Ai u dënua për spastrim etnik të kroatëve në Vojvodinë dhe për shpërfillje të gjykatës, por jo për krime në Bosnje dhe Hercegovinë.

Megjithatë, Šešelji nuk ishte një vëzhgues pasiv i luftës, por një mobilizues ideologjik, në komunikim të vazhdueshëm me strukturat ushtarake dhe paramilitare të Serbisë, veçanërisht me ato që vepronin në Bosnje dhe Hercegovinë. Deklaratat e tij kontradiktore janë një gjurmë për studiuesit, por gjithmonë duhet verifikuar me kujdes. Oscilimi mes mburrjes dhe mohimit sugjeron se pas propagandës qëndronte një përvojë reale e dhunës”.

Biserko thekson gjithashtu se pas vitit 2008, kur Vuçiçi u largua nga Šešelji dhe iu bashkua Tomislav Nikolićit dhe Partisë Progresive Serbe, Šešelji e sulmoi ashpër Vuçiçin. Sot, megjithatë, ai zë një vend të rëndësishëm në propagandën e Vuçiçit dhe ndikon pjesërisht në politikat e tij.

Vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mohuar çdo përfshirje në “Sarajevo Safari”. A i besohet ky mohim?

“Aktualisht nuk ka prova publike dhe juridikisht të qëndrueshme që Vuçiçi të ketë qenë personalisht i përfshirë. Në këtë kuptim, mohimi i tij ka peshë ligjore – përgjegjësia nuk supozohet, por provohet. Emri i tij përmendet për shkak të kontekstit: ai ishte vullnetar në një formacion çetnik dhe fizikisht i pranishëm në Varrezat Hebraike, nga ku qëllohej Sarajeva e rrethuar. Kjo e bën atë një aktor relevant të asaj kohe, gjë që nuk mund të mohohet. Megjithatë, përgjegjësia penale duhet të provohet. Prania në vendin e krimit ka peshë të madhe morale dhe mohimi i tij nuk e mbyll debatin mbi përgjegjësinë politike dhe trashëgiminë e asaj politike”.

Në filmin “Epika serbe” të regjisorit Lazar Stojanović shfaqet shkrimtari rus Eduard Limonov duke qëlluar me mitraloz drejt Sarajevës së rrethuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar krijimin e një gjykate të posaçme për hetimin e vrasjeve të civilëve nga snajperët gjatë viteve ’90. A ka gjasa që kjo të ndodhë?

“Ky film përbën një nga provat e rralla audiovizuale të pranisë së të huajve në vijat e rrethimit të Sarajevës. Por vetë pamjet nuk mjaftojnë për një dënim – duhet të provohet viktima konkrete, lidhja shkakësore dhe përgjegjësia individuale, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë në rastet e snajperëve.

Mendoj se shanset për një tribunal të ri ndërkombëtar janë të vogla, por ideja e Kurtit është domethënëse, sepse tregon se luftërat e viteve ’90 nuk janë shoqërisht të mbyllura”.

Pse nuk janë mbyllur?

“Tribunali i Hagës trajtoi përgjegjësinë komanduese, por drejtësia për viktimat individuale mbeti e hapur. Prandaj ‘Sarajevo Safari’, Limonovi dhe snajperët vazhdojnë të rikthehen në hapësirën publike. Kujtesa e këtyre krimeve është ende e gjallë”.

Hetimi italian për “Sarajevo Safari” nisi më 9 shkurt 2026. A prisni që dikush nga Serbia të thirret si dëshmitar?

“Nuk kam informacion të mjaftueshëm për ta thënë këtë. Mund të ketë dëshmitarë, por mbetet çështje guximi dhe sigurie. Ndoshta dikush që nuk jeton më në vend. Por këto janë hipoteza”.

A do të ketë epilog gjyqësor?

“Shumë vështirë. Pas tridhjetë vjetësh, dëshmitë balistike dhe identitare janë pothuajse të pamundura. Serbia nuk do të angazhohet në këtë proces. Bosnja dhe Hercegovina ndoshta, por edhe aty është e pasigurt”.

Pse atëherë rasti po hapet tani?

“Po jetojmë një krizë globale të besimit në institucione dhe hapje arkivash. Dëshmitarët po flasin. Nëse ‘Sarajevo Safari’ vërtetohet, do të kemi të bëjmë me degradim antropologjik: lufta shndërrohet në treg dhune”.

Si ndikon kjo në pozitën ndërkombëtare të Vuçiçit?

“Edhe pa epilog gjyqësor, ky skandal hedh dritë shumë të errët mbi aktivitetet e tij në vitet ’90 dhe forcon perceptimin se ai mbështeti agresionin ndaj Bosnjës”.

Cila është sot pozita e tij ndërkombëtare?

“Ai ka humbur në masë të madhe kapitalin politik. SHBA-ja, BE-ja, Rusia dhe Kina e shohin me gjithnjë e më shumë mosbesim. Modeli i tij i diplomacisë transaksionale është shteruar”.

Për Bashkimin Evropian, Vuçiçi mbetet i rëndësishëm jo për shkak të legjitimitetit demokratik, por sepse Serbia perceptohet si një faktor potencial destabilizues në rajon. Qasja e tij revizioniste ndaj luftërave të viteve ’90, e shoqëruar me mbështetje politike dhe simbolike nga Moska, vazhdon të rëndojë marrëdhëniet rajonale dhe të minojë procesin e pajtimit.

Ajo që po shohim sot nuk është një kolaps spektakolar i politikës së tij të jashtme, por një shterim gradual i saj.

Të ngjashme