Prej më shumë se një viti e gjysmë, në Serbi po forcohet një model i qartë i ushtrimit të presionit politik përmes institucioneve të sigurisë, në veçanti përmes Agjencia e Sigurisë së Informacionit (BIA).
Siç raporton Nova, përmes burimeve nga prokuroria, shoqëria civile dhe media flasin për një praktikë të vazhdueshme të “ftesave miqësore”, thirrjeve telefonike dhe takimeve joformale, të cilat në thelb shërbejnë si mekanizëm frikësimi dhe disiplinimi politik.
“Disa prokurorë janë vënë nën presion të drejtpërdrejtë për të ndikuar në votimin e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorëve”.
Veçanërisht të ekspozuar kanë qenë prokurorët nën juridiksionin e Prokurorisë së Apelit në Kragujevac, ku synimi ka qenë mbështetja e kandidatëve të afërt me strukturat e pushtetit.
Në këtë proces janë përfshirë edhe operativë të BIA-s, çka përbën një precedent të rrezikshëm: shërbimi sekret i shtetit shndërrohet në instrument për ndikim në pavarësinë e drejtësisë.
Ky model, sipas analistëve, e zhvesh sistemin prokurorial nga autonomia dhe e vendos atë nën kontroll politik, përcjellë “The Geopost”.
Presioni nuk kufizohet vetëm në drejtësi.
Studentë në bllokadë, aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë kritikë ndaj pushtetit kanë raportuar ftesa për “biseda informative” nga BIA. Në disa raste, sipas hulumtimeve të BIRN, këto takime janë shoqëruar me ndërhyrje në pajisje personale, përfshirë telefona mobilë, duke ngritur dyshime serioze për përgjim dhe shkelje të privatësisë.
Gazetarë lokalë dhe studentë kanë dëshmuar se pas takimeve me oficerë të BIA-s kanë vërejtur sjellje të pazakonta të pajisjeve të tyre elektronike, duke forcuar perceptimin se “bisedat miqësore” janë në fakt mjete survejimi dhe intimidimi.
Një dimension veçanërisht i ndjeshëm i kësaj strategjie është përfshirja e veteranëve të luftës. Në prag të protestave të mëdha, përfshirë Vidovdanin, ish-ushtarë janë kontaktuar nga BIA për të dhënë informacione mbi pjesëmarrjen, organizimin dhe planet e protestuesve.
Burime të Nova-S e përshkruajnë këtë si përpjekje absurde për të frikësuar njerëz që kanë mbijetuar beteja si Koshara e Pashtriku dhe bombardimet e NATO-s.
Një nga figurat më simbolike të rezistencës qytetare është Dijana Hrka, nëna e njërit prej viktimave të tragjedisë së rënies së tendës në Novi Sad. Angazhimi i saj publik dhe solidarizimi me studentët e kanë kthyer në objekt presioni.
Vetë Hrka ka deklaruar se është ndjekur dhe kontaktuar nga BIA, edhe në prag të përvjetorit të vdekjes së djalit të saj, vetëm pse kërkonte drejtësi dhe përkujtim dinjitoz.
Të gjitha këto raste, të marra së bashku, përbëjnë një tablo të qartë: nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiq, BIA po përdoret jo si shërbim i sigurisë kombëtare, por si instrument politik për frikësim, kontroll dhe shtypje të mospajtimit.
“Ftesat miqësore” janë shndërruar në gjuhë të pushtetit për të kujtuar qytetarët se kush kontrollon institucionet.
Ky model, paralajmërojnë vëzhguesit, e largon Serbinë nga standardet demokratike dhe e afron atë me praktika autoritare, ku siguria përdoret kundër qytetarëve dhe jo për mbrojtjen e tyre.