Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nisi me fjalimin e kryeministrit Albin Kurti. Ai nuk i kurseu urimet për aktivistët e LVV-së që kontribuan në fitoren e LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të cilat, siç i quajti ai, ishin një aksion që tejkaloi imagjinatën, raporton Ekonomia Online.
Kurti i falënderoi të gjithë dhe rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme e quajti rekord dhe historik.
“Është hera e parë që takohemi pas fitores rekord dhe historike dy muaj më parë në zgjedhjet parlamentare. Gëzuar edhe njëherë, urime për aksionin që tejkaloi edhe imagjinatën. Fushata zgjedhore e Vetëvendosjes për 28 dhjetorin 2025 ishte e paparë, jo vetëm në Kosovë e mbarë trojet shqiptare, por edhe në rajon e më gjerë. Unë shpreh mirënjohjen më të thellë si kryetar i Lëvizjes për të gjithë juve këtu, për të gjithë ata e ato atje e kudo që janë, për secilën e secilin, sepse ka qenë angazhim gjigant i cili na ka sjellë në këtë lartësi të cilën mund ta keni dëshiruar, por nuk mund të them që edhe e keni paramenduar kollaj. Prandaj, faleminderit të gjithëve nga zemra dhe urojmë të nxjerrim mësimet e mira nga fundviti 2025 për jo vetëm vitin 2026, por edhe shumë vite në vijim”, tha Kurti.
Kurti tha se angazhimi i të gjithëve rezultoi me rezultatin.
“Pra, ajo fitore erdhi edhe nga ajo fushatë, e cila padyshim që nuk ishte thjesht një garë politike. Ishte një lëvizje e gjallë, vitale, e cila përfshiu mijëra vullnetarë, aktivistë dhe simpatizantë në të gjithë Kosovën, nga viset e banuara me shqiptarë, por edhe nga mërgata jonë e dashur. Energjia, përkushtimi dhe durimi i tyre ishin forca jonë më e madhe. Pa këtë angazhim asgjë nuk do të ishte e mundur, me këtë angazhim gjithçka u mundësua”, u shpreh ai.
Ai kujtoi edhe zgjedhjet e vitit 2019 dhe krahasoi me një shprehje.
“Kujtojmë momentin historik të 6 tetorit 2019 kur populli na dha një votë bindëse për ndryshim në zgjedhjet e parakohshme. Dhe siç thamë: doli zogu nga kafazi dhe nuk kthehet më. Ishte dita kur vendi tregoi se rruga për punë e drejtësi, përkushtim ndaj qytetarëve dhe shtetit nuk mund të kthehet pas. Në zgjedhjet e shkurtit 2021 ai zog filloi të fluturojë, dhe më pas me këtë fitore në prag të dhjetorit 2025 shtriu krahët e tij mbi gjithë Republikën duke na dhënë një mandat edhe më të fuqishëm për të vazhduar fortësimin e shtetit”, theksoi tutje Kurti.
Kurti njoftoi se në kuadër të buxhetit për vitin 2026 përfshihet edhe paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e cila pritet të shpërndahet në fund të këtij muaji.
“Buxheti në vlerë rreth 4 miliardë euro përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të shpërndahet në fund të këtij muaji që nisi sot”, deklaroi ai.

