Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në takim shefin e zyrës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
Në njoftimin e Ministrisë bëhet e ditur se gjatë takimit, Maqedonci dhe Dietz diskutuan thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Gjatë takimit, në kontekstin e sfidave të reja dhe kërcënimeve hibride, u theksua rëndësia e forcimit të kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike, shkëmbimit të ekspertizës si dhe ndërtimit të mekanizmave të përbashkët të mbrojtjes, si një domosdoshmëri strategjike” thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Bëhet e ditur se po ashtu, u diskutua bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, me theks të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve moderne që kontribuojnë në rritjen e gatishmërisë dhe qëndrueshmërisë institucionale.
“Luksemburgu mbetet një partner i çmuar për Kosovën, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar partneritetin përmes projekteve konkrete dhe bashkëpunimit afatgjatë në funksion të sigurisë dhe stabilitetit” deklaron Ministria.