“Arsimi prioritet? Nga peticioni te veprimet institucionale” është tema e konferencës së mbajtur sot nga rrjeti i OShC-ve ROSCAP për arsimin parauniversitar. Raporti i prezantuar është mbështetur në tri politika kryesore: pensionimi i parakohshëm vullnetar për mësimdhënësit e moshës 55 deri në 64 vjeç, riorganizimi i rrjetit të shkollave me më pak se 60 nxënës dhe vlerësimi periodik i performancës së mësimdhënësve në të gjithë Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Drejtori Ekzekutiv i Teach for Kosova, Egzon Gashi tregoi arsyen e nisjes se peticionit.
“Desha ta kthej pak prapa në kohë, në vitin 2023 në dhjetor. Edhe një herë Kosova u përball me një realitet të hidhur: në testimin ndërkombëtar PISA, vendi ynë doli ndër përformuesit më të dobët në botë për herë të tretë radhazi. Ndër përpjekjet e mëdha për t’i dhënë një përgjigje apo një arsye këtyre rezultateve që po prekin të ardhmen e fëmijëve tanë, u dha dhe shpjegimi i ndikimit të pandemisë fatkeqe edhe në arsimin e nxënësve tanë. Po, sigurisht mund të arrijmë në një konkludim të përbashkët që pandemia ka ndikuar kudo, por pandemia nuk e shpjegon vitin 2015 dhe nuk e shpjegon vitin 2018. E vërteta është që ne po refuzojmë të pranojmë realitetin tonë në arsim dhe po refuzojmë reforma që prekin strukturën dhe jo vetëm fjalorin.
Në atë moment mendova se reagimi nuk mund të jetë një tryezë e vogël apo një konferencë e shpejtë për media. Reagimi duhet të ishte më i madh, duhet të ishte shoqëror dhe duhet të ishte një kërkesë publike e artikuluar qartë, që vjen nga qytetarët dhe komuniteti ynë arsimor, jo vetëm nga një grup njerëzish apo një individ.
Dhe pikërisht aty u aktivizua rrjeti ROSCAP, rrjeti i organizatave të shoqërisë civile në arsimin parauniversitar i krijuar dy vite më parë“, tha ai.
Gashi ndau dy gjetje kryesore nga ky hulumtim.
“Personalisht, unë ndihem kompetent të flas për këtë temë sepse ‘Teach for Kosovo’ ka realizuar një projekt, më të madhin në vend, ku më shumë se 500 mësimdhënës janë vlerësuar nga organizata jonë dhe më shumë se 6,000 nxënës janë anketuar në projektin tonë. Dua t’i ndaj vetëm dy gjetje kryesore nga ky hulumtim. E para është që 97% e nxënësve në hulumtimin tonë kanë thënë se mësimdhënësit kanë njohuri shumë të larta në lëndët e tyre. E dyta, nuk pamë rezistencë nga mësimdhënësit ndaj vlerësimit. Nga gati 500, vetëm një mësimdhënës e refuzoi vlerësimin. Kjo tregon se kur procesi është i drejtë dhe bëhet për qëllim zhvillimi, edhe pranohet nga ana e mësimdhënësve”, theksoi ai.
Drejtoresha Ekzekutive e OJQ LAPS, Lejla Leci tha se përmatjet kanë arsye që janë bërë në muajin mars.
“Kjo konferencë organizohet në kuadër të ROSCAP, rrjetit të organizatave të shoqërisë civile në arsimin parauniversitar, ku bëjnë pjesë 14 organizata të përkushtuara për edukim dhe rini. Përmatje nuk është rastësi që jemi mbledhur pikërisht në këtë periudhë të marsit. Për ne ky muaj lidhet me dy data domethënëse: me datën e 7 Marsit, Ditën e Mësuesit, ditën kur nderojmë punën dhe rolin e të gjithë mësimdhënësve; dhe gjithashtu dyvjetorin e nisjes së peticionit për shpëtimin e arsimit, një rrugëtim të cilin së bashku me organizatat e kemi nisur më 7 Mars 2024 dhe që prej atëherë po e çojmë përpara me avokim të vazhdueshëm, duke përfshirë edhe konferencën e sotme“, tha ajo.
Ndërkaq nga raporti thuhet se aktualisht 62 shkolla dhe 136 paralele të ndara nuk i përmbushin kriteret ligjore për funksionim dhe mbeten të hapura.
Gjithashtu rekomandohet për pensionim të bëhet një ligj ose skemë ligjore për pensionim të parakohshëm të mësimdhënësve pas 25% i takojnë moshës 55-64 vjeç. Dhe rekomandohet që të amandamentohet neni 33 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar për të bërë të detyrueshëm vlerësimin periodik të mësimdhënësve së paku çdo 5 vjet.





