Sot janë bërë 27 vite që nga masakra e Studimes ku mbetën të vrarë 116 civilë shqiptarë, raporton Ekonomia Online.
Familjarët e të vrarëve kërkojnë drejtësi për krimet qe shteti serb ka bërë ndaj banorëve të Studimes së Vushtrrisë.
Elhame Xhafa përkujton 2 majin si natë të tmerrshme ku u rrethuan nga ushtarët dhe policët serb në mbrëmje dhe si pasojë mbetën të vrare burri i saj dhe vëllau.
“Më 2 maj, në orën 10-të të natës, këtu na kanë rrethue tëra anët, na kanë malltretuar, na kanë rrehë, ma kanë vra burrin, ma kanë vra vllaun. Kena nejt në mal tri ditë pa hangër pa pi” tha Xhafa.
Sami Gërxhaliu vëlla i dëshmorit të rënë Fatmir Gërxhaliu ka kritikuar institucionet për të cilat tha se duhet bërë me shumë dhe jo të shfrytëzohen për vota.
“Këtu është një masakër shumë e madhe që kanë kaluar 27 vjet, ende nuk ka asnjë, asnjë i dënuar deri sot për këtë masakër. Kështu që i lutem institucioneve t’i japin pak rëndësi kësaj pune. Deri tash, ata kur është puna me ardhë për te votat, te këtu, vijnë edhe na i shohim këtu. Prapë se prapë kjo absolutisht asnjë nuk merret me këtë punë. Po, ka dëshmitarë, shumë ka dëshmitarë. Kanë dhënë deklarata po ende nuk ka asgjë për këtë punë”, tha Gërxhaliu.
Bahrije Gërxhaliu, gruaja e dëshmorit Imer Gërxhaliu tregon se si iu vra burri dhe kunati i saj në këtë masakër në sy të saj dhe të 5 fëmijëve të saj.
“Edhe pse kanë kaluar 27 vite, sot janë mbushur 27 vite, dhimbja për neve është e freskët po si atë ditë. Unë këtu kam humb bashkëshortin Imer Gërxhaliun, kam humb kunatin Skënder Gërxhaliun, kam humb të afërmit e burrit edhe djalin e agjës Ismajl Kokova. Kam qenë prezente me bashkëshortin edhe kur është vra, edhe ka qëndruar dy orë e gjysmë i plagosur, çka më shpuajnë ato fjalë çdo ditë. Ky krim qysh ka qenë i organizuar me datën 16 prill që na kanë bllokuar nga fshati Studime e Ulët edhe na kanë tërhequr me u ngjit në Studime e Epërme. Këtu kemi qëndruar deri natën e 2 majit, natën e 2 majit qysh ditën prej Shalës popullata veç ka vërshuar fshatin Ceceli, Studime, këtu ka qenë një popullatë e hatashme edhe me rënien e muzgut ata veç kanë mbërritur edhe kanë filluar, ata e kanë pas të planifikuar këtë gjenocid me bë. Është shumë e rëndë kur të lënë me pesë fëmijë, më i madhi 11 vjet e gjysmë e më e vogla 2 vjet e 6 muaj, saqë ata nuk kanë zgjedhur edhe fëmijën 2 vjet e 6 muaj ma kanë marrë nga prehri edhe kanë bë krim. “, tha Gërxhaliu.
Ajo tha se barra kryesore që e bartin si familje është që askush nuk ka dalë para drejtësisë për këto krime edhe pse vet ka dëshmuar për to.
“Edhe sot 27 vjet, çka na është barra më e rëndë për ne si familjarë, është që ende askush nuk ka dalë para drejtësisë, nuk është ulur në bankën e të akuzuarve për këto krime që i kanë bë. Ndoshta është masakra më e madhe në Kosovë që ka ndodhur brenda dy orëve janë vra 116 civilë të paarmatosur, të pambrojtur, vetëm pse kanë qenë shqiptarë. Të gjithë kanë qenë me familjet e tyre, të gjithë kanë qenë të një moshë ku ndoshta më i moshuari është 50 vjet, prej 50 vjet e teposhtë, krejt djem të rinj, djem të shkolluar. Kjo ka qenë e planifikuar prej barbarisë serbe”, tha Gërxhaliu.


