Idrizi: Lumi i Studimes do të jetë si emërtim Lumi i Gjakut se u la me gjakun e të rënëve

Prishtinë | 02 Maj 2026 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi kq përkujtuar 116 civilët shqiptarë të vrarë në masakrën e Studimes të këtij qyteti, raporton Ekonomia Online.

Idrizi përkujtoi edhe ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës padrejtësisht.

“Faleminderit shumë që keni gjetur kohën në këtë ditë dhimbjeje, në këtë ditë përkujtimi, për t’i përkujtuar 116 martirët e Studimes, të cilët u vranë e u masakruan në këtë vend, në këtë lumë që do të jetë si emërtim në të ardhmen Lumi i Gjakut, sepse u la me gjakun e bijve dhe bijave tona, u la me gjakun e fëmijëve, grave, burrave, pleqve të të gjitha moshave.

Ishin të gjithë të pambrojtur, ishin të gjithë të pafajshëm, u masakruan vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë.Sot kur po e përkujtojmë këtë dhimbje të madhe kombëtare këtu dhe në të gjitha pjesët e Kosovës, që ky gjak u bë liria e Kosovës, u bë pavarësia e Kosovës, ende kriminelët nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Për absurdin e kohës, nëpër gjykata mbahen ish-drejtuesit e shtetit dhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, padrejtësisht.

Andaj, më tepër se kurrë, ndoshta në këto dekadat e fundit, ky vend ka nevojë për unitet, kjo shoqëri ka nevojë për unitet”, tha Idrizi.

I pari i Vushtrrisë tha se Kosova është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve.

“Sot Republika e Kosovës është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Prandaj, kujtimi për ta nuk është vetëm obligim moral e kombëtar, por edhe amanet që duhet ta ruajmë me dinjitet.

Në emër të Komunës së Vushtrrisë, ju falënderoj të gjithë juve që keni ardhur në këtë përvjetor për të kujtuar, për të ndarë dhimbjen me familjet e dëshmorëve dhe martirëve.

Ju të dashura familje që i dhatë më të afërmit, më të dashurit tuaj, ne e bashkëndjejmë edhe dhimbjen por edhe forcën me juve. Por një është e qartë, sepse pa këtë memorial këtu, pa këtë gjak të martirëve këtu dhe gjithandej Kosovës, pa luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa mbështetjen e aleatëve tanë, ky vend nuk do të ishte i lirë dhe i pavarur.

Ky vend ka një perspektivë dhe një të ardhme të sigurt sepse ka dëshmorët e vet, ka martirët e vet, ka invalidët e vet, ka veteranët e vet. Krejt çka i nevojitet, i nevojitet edhe uniteti, i cili po na mungon, po na mungon për absurdin e vet, sepse nuk po mundemi ta gjejmë këtë unitet. Është më i lehti, është më i arsyeshmi, është i domosdoshëm për vendin dhe perspektivën tonë”, tha Idrizi.

 27 vite më parë në masakrën e Studimes mbetën të vrarë 116 civilë shqiptarë të paarmatosur.

Të ngjashme