Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka thënë se opozita sot e ka vetëm një mundësi të fundit për të parandaluar bllokadën e radhës që sipas tij po e përgatitë lideri i VV-së, njëherit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe e cila çon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Opozita e ka vetëm edhe sot një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës që po përgatitet nga Kurti, përmes krijimit të kushteve për zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo mund të arrihet duke nominuar një kandidat të dytë për President, krahas Konjufcës tashmë të propozuar, dhe duke qëndruar në sallë vetëm gjatë raundit të parë të votimit, për t’u larguar në raundet pasuese. Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces mund të bëhet me 40 nënshkrime. Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.
E në rast se nuk ndodh kjo, atëherë ai thotë se vendi që nga nesër rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale.
“Në të kundërtën, duke filluar nga nesër vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale, përmes manovrave procedurale dhe lojës me Gjykatën Kushtetuese, ku koha e zgjedhjeve do të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”, shkruan Krasniqi.