Në ambientet tashmë të “përhershme” të Teatrit Kombëtar të Kosovës është shfaqur më 3 mars shfaqja “Nemesis”, një produksion i Teatrit ODA me tekst nga Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti, ndërsa regjia mban gjithashtu emrin e këtij të fundit.
Shfaqja paraqet një rrëfim që eksploron marrëdhënien mes pushtetit dhe transformimeve që ai mund të shkaktojë në karakterin dhe mendjen e njeriut.
E mbështetur në referenca historike që lidhen me rrëfimet e Herodotit, shfaqja e vë në qendër figurën e Krojsit, mbretit të pasur të Lidisë, i cili në histori njihet për pasurinë dhe fuqinë e tij të jashtëzakonshme. Në skenë, ai paraqitet si një sundimtar që rrethohet me luks, festë dhe pa mungesë të lavdërimeve, derisa ngadalë ngadalë fillon edhe të besojë se madhështia e tij është e pakufishme.

Përballë tij qëndron Soloni, i njohur si një nga shtatë njerëzit më të mençur të Greqisë së lashtë. Në histori, Soloni njihet për reformat e tij që ndikuan në faljen e borxheve të qytetarëve dhe i liruan ata nga skllavëria. Në shfaqje, ai shfaqet si një zë kritik ndaj pushtetit, duke vënë në dyshim idenë se pasuria dhe fuqia janë garanci për lumturi.
“Nemesis” ndërton një dialog mes historisë dhe “shkencës”. Krahas figurave historike dhe situatave që zhvillohen në oborrin mbretëror, shfaqja përfshin edhe referenca nga neuroshkenca, duke përmendur mekanizma si dopamina, sinapset dhe receptorët e trurit që lidhen me “ndjenjën e shpërblimit”. Në këtë mënyrë krijohet edhe një kontrast mes madhështisë së pushtetit dhe proceseve biologjike që ndikojnë në sjelljen njerëzore, si qëllim kryesor i kësaj shfaqje.

Pushteti paraqitet kështu jo vetëm si një fenomen politik apo historik, por edhe si një përvojë që mund të krijojë një cikël të vazhdueshëm kërkese për më shumë lavdi, dominim dhe validim përpara. Në këtë kontekst, shfaqja prek edhe fenomenin e njohur si “sindroma e hubrisit”, një gjendje që shpesh lidhet me individë që mbajnë pushtet të madh për periudha të gjata dhe zhvillojnë një ndjenjë të tepruar madhështie dhe në një lloj forme apo tjetër, shkëputen nga realiteti.
Titulli i shfaqjes lidhet me figurën mitologjike të Nemesis, e njohur si perëndesha që ndëshkon arrogancën dhe teprinë e pushtetit. Në këtë kuptim, rrëfimi i shfaqjes funksionon edhe si paralajmërim për ciklin e njohur historik ku pushteti i pakontrolluar shpesh çon drejt rënies.
Në skenë u paraqiten në mënyrë briliante Labinot Raci, Blend Sadiku, Fiona Abdullahu, Era Balaj dhe Art Pasha. Ndërkaq, shfaqja është realizuar me skenografi nga Enes Sahiti, muzikë nga Lis Boshtrakaj dhe videografi nga Gëzim Hasani, ndërsa produksioni është realizuar nga Teatri ODA.
Përmes kësaj përzierje të historisë, filozofisë dhe elementeve të shkencës, “Nemesis” sjell në skenë një reflektim mbi mënyrën se si pushteti dhe lavdia mund të ndikojnë në fatin dhe mendjen e njeriut, e edhe më shumë ta gërryejnë karakterin e dikujt. /KultPlus.com
