Muja takon përfaqësuesit e Bankës Botërore, diskuton progresin e projektit për rehabilitimin e sistemeve të ujitjes

Prishtinë | 12 Mar 2026 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Misionit të Banka Botërore për Kosovën, të udhëhequr nga menaxherja e vendit, Carole Megevand. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Projektit për Përmirësimin dhe Rehabilitimin e Sistemeve të Ujitjes (IRIS), me të cilët u diskutua për progresin dhe rezultatet e arritura të këtij projekti.

Gjatë takimit është prezantuar progresi i përgjithshëm i projektit IRIS, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, monitorohet nga Banka Botërore dhe implementohet nga Ministria e Bujqësisë përmes Njësisë së Zbatimit të Projektit (PIU).

Ministri Muja theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe për rritjen e efikasitetit në përdorimin e ujit në Kosovë.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe për rritjen e efikasitetit të përdorimit të ujit në Kosovë. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe partnerët ndërkombëtarë në realizimin e tij”, tha Muja.

Ai shprehu gjithashtu interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte të tjera që synojnë zhvillimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së ujitjes, në funksion të rritjes së produktivitetit bujqësor dhe mbështetjes së fermerëve në vend.

Në takim u theksua se projekti aktualisht ndodhet në fazën përfundimtare të implementimit dhe përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme në rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës së ujitjes në Kosovë. Përfitues kryesor i investimeve është Kompania Rajonale e Ujitjes Radoniqi–Dukagjini, përmes së cilës janë realizuar ndërhyrje të rëndësishme në sistemin e ujitjes.

Në fund të takimit janë prezantuar edhe rezultatet e komponentit për ndërtimin e kapaciteteve, ku janë realizuar trajnime për qindra fermerë, ofrues të ujitjes dhe përfaqësues institucionalë. Po ashtu janë organizuar vizita studimore dhe aktivitete edukative që synojnë përdorimin më efikas të ujit dhe rritjen e produktivitetit bujqësor.

Të ngjashme