Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka shpallur konkursin për ndarjen e Çmimeve Vjetore të Artit dhe Kulturës për vitin 2026, me qëllim vlerësimin dhe promovimin e krijuesve dhe performuesve që kanë dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin e artit dhe kulturës në vend.
Sipas njoftimit të ministrisë, institucionet, organizatat, asociacionet profesionale, si dhe individët ftohen të propozojnë kandidatët për kategoritë e ndryshme të çmimeve.
“Ftohen institucionet, organizatat, asociacionet profesionale, si dhe individët që të propozojnë kandidatët për kategoritë e ndryshme të çmimeve në fushat e letërsisë, arteve skenike, kinematografisë, muzikës, artit pamor, vallëzimit dhe arkitekturës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas ministrisë, nominimet mund të bëhen edhe për çmimet që lidhen me përfaqësimin ndërkombëtar si dhe për krijuesit e rinj.
“Propozimet mund të bëhen edhe për çmimet për përfaqësim ndërkombëtar dhe për krijuesit e rinj, me qëllim të promovimit të talenteve dhe të arritjeve në fushën e artit dhe kulturës”, theksohet më tej.
Afati për dorëzimin e nominimeve është 30 ditë nga dita e publikimit të konkursit, ndërsa detaje shtesë për kriteret dhe procedurat e aplikimit janë bërë publike në njoftimin e plotë të ministrisë.