Ambasadori i Bashkimi Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se ekziston dakordim për zbatimin e Ligjit për të Huajt, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit, Orav tha se gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke shprehur shpresën që çështjet e brendshme të zgjidhen sa më shpejt.
Ai bëri të ditur se gjatë javëve të fundit janë zhvilluar bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës dhe se tashmë ekziston një dakordim për zbatimin e ligjit, me disa hapa shtesë thelbësorë.
“Shpresojmë shumë që të gjitha ato çështje të brendshme të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Por para së gjithash, sot në takim u përqendruam në zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt. Diskutuam për zbatimin, të cilin do ta fillojmë nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot ka dakordim për zbatimin e Ligjit për të Huajt me hapa shtesë thelbësorë, para së gjithash sa i përket procesit të regjistrimit të serbëve të Kosovës dhe lejeve të qëndrimit të përkohshëm. Pra, Kryeministër Kurti, ju faleminderit shumë për konstruktivitetin tuaj. Dua të falënderoj gjithashtu për qasjen konstruktive të liderëve politikë serbë në Kosovë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Sørensen, ka qenë gjithashtu në kontakt të ngushtë me Qeverinë e Serbisë për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha ai.
