Analisti politik Arton Muhaxheri ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po legjitimohen strukturat paralele serbe në Kosovë nga ana e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Në reagimin e tij, Muhaxheri thotë se partitë opozitare janë mjaftuar kryesisht me komunikata për media dhe disa reagime sporadike në rrjetet sociale, pa ndërmarrë veprime më të forta politike.
Sipas tij, pavarësisht një situate që ai e cilëson si skandal, opozita ka reaguar me një qetësi të pazakontë.
“Partitë opozitare u mjaftuan me nga një reagim përmes komunikatave për media dhe me disa reagime aty-këtu në Facebook për legjitimimin e strukturave paralele në Kosovë nga ana e Kurtit”, shkruan Muhaxheri në reagimin e tij.
Ai shton se në rrethana të tilla politike, kur vendi përballet me krizë institucionale dhe mungesë funksionimi të plotë të institucioneve, presioni politik ndaj qeverisë bëhet i vështirë përmes mekanizmave institucionalë.
“Në një skandal të tillë të bërë nga Qeveria Kurti, si një nga zërat opozitarë e admiroj qetësinë e opozitës”, thekson ai.
Sipas Muhaxherit, në një situatë kur nuk ka Kuvend funksional dhe mekanizmat institucionalë janë të kufizuar, mënyra e vetme efektive për të ndalur qeverinë mbetet presioni qytetar.
“Në kohën kur s’ka Kuvend dhe institucione funksionale, Kurti ndalet vetëm përmes rrugës; të gjitha metodat e tjera pothuajse janë të parëndësishme dhe nuk prodhojnë efekt”, përfundon reagimi i analistit politik.