Sharr Travel prezanton ofertat për sezonin veror në Durrës, Shqipëria në hartën e vendeve të sigurta për turistët

Prishtinë | 15 Mar 2026 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Në Durrës të Shqipërisë është hapur zyrtarisht sezoni turistik veror me sloganin “Vera të thërret – Shqipëria të mirëpret”, në një aktivitet ku morën pjesë përfaqësues të sektorit të turizmit dhe operatorë turistikë nga Kosova dhe Shqipëria. Në këtë ngjarje u prezantuan edhe ofertat e reja turistike për sezonin 2026, të cilat sipas organizatorëve parashohin çmime më të favorshme dhe bashkëpunim më të zgjeruar për të sjellë pushues nga Kosova dhe rajoni në bregdetin shqiptar, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë dhe pronari i “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, tha se bashkëpunimi me partnerët në Shqipëri po vazhdon dhe këtë vit është shoqëruar me oferta më të favorshme për pushuesit.

“Është vazhdimësi e punës dhe bashkëpunimit që kemi pasur. Përveçse kemi hapur sezonin turistik në ditën e verës, ne kemi lançuar edhe ofertat tona turistike të cilat janë shumë më të favorshme sesa vitet e kaluara për të ardhur në Fafa Resort. Kjo është një dëshmi që bashkëpunimi vazhdon, që praktikat e mira të bashkëpunimit vazhdojnë dhe e gjitha kjo është në interesin publik të qytetarëve. Ne po mundohemi që kontratat e mira që kemi me Fafa Resort t’i dërgojmë matanë bjeshkëve, pra përtej në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut e në Preshevë e luginë gjithandej ku Sharr Travel do të jetë prezent në çdo cep të Kosovës për të sjellë qindra-mijëra qytetarë. Përveç kësaj, në 30-vjetorin që ne festojmë këtë vit të punës sonë në turizëm, kemi lançuar oferta turistike për pushuesit tanë që të fillojnë tash rezervimet deri në fund të marsit me deri në 30% zbritje”, u shpreh ai.

Ndërkaq, pronari i Fafa Resort, Fatos Çerenishiti, theksoi se bashkëpunimi me operatorin turistik nga Kosova pritet të jetë edhe më i suksesshëm gjatë këtij sezoni veror.

“Sharr Travel do të jetë, siç ka qenë gjithmonë, por këtë vit do të jetë në një nivel edhe më të lartë pasi kemi bërë kontrata të cilat do të funksionojnë më mirë sesa vitet e tjera. Ka më shumë hapësira nëpër hotelet Fafa, kështu që mendoj që bashkëpunimi për 2026-tën me Sharr Travel do të jetë një bashkëpunim që do të bëjë që të dyja palët, edhe Fafa edhe Sharr Travel, në fund të sezonit të kenë rezultate të shkëlqyera. Kështu që, një ftesë e hapur dhe një falënderim e mirënjohje për zotin Ruzhdi që na mundëson dhe promovon kaq mirë bregdetin shqiptar. Kjo sigurisht që na bën krenarë dhe është kënaqësi që kemi një partner të tillë. Mendoj që sezoni sapo ka filluar, koha për fatin tonë të mirë është e mrekullueshme, shumë festa kemi përpara të cilat mund t’i shijojmë pranë bregdetit të Durrësit”, thotë ai.

Ndërsa Kurtishaj tha se për festat e ardhshme siç është Festa e Bajramit janë përgatitur edhe oferta të veçanta për pushuesit nga Kosova.

“Është tradicionalisht e kuptueshme që ne kemi festuar bashkë edhe Bajramin, edhe Pashkët. Këtë vit kemi dalë me zbritje deri 30% për festën e Bajramit ku shumë qytetarë të Kosovës me ofertat tona mund t’u bashkohen këtyre ofertave për të qëndruar tre ditë të mira në këtë diell jashtëzakonisht të mirë në Durrës, në brigjet e Durrësit”, theksoi ai.

Duke folur për rolin e turistëve nga Kosova, Çerenishiti vlerësoi kontributin e tyre në zhvillimin e turizmit në bregdetin e Durrësit.

“Duhet ta themi që shqiptarët e Kosovës kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për sa i përket zhvillimit të turizmit në bregdetin e Durrësit veçanërisht, pasi kanë qenë të parët që e kanë frekuentuar dhe në një numër shumë të konsiderueshëm. Me kalimin e viteve, të dyja palët u përmirësuam: ne përmirësuam pjesën e strukturave të hoteleve, ata filluan të rrisin nivelin. Të dyja palët jemi marrë vesh edhe pa folur, sepse ne kemi ngritur struktura të tjera dhe shërbime të tjera të cilat nuk i kemi pasur në fillimet tona para 10 viteve. Kurse tashmë duhet të themi që standardi i hoteleve te Fafa, por pothuajse në të gjithë bregdetin e Durrësit, janë rritur në shërbim të turistit”, theksoi ai.

Çerenishiti gjithashtu përmendi situatën në Lindjen e Mesme, e për të cilën tha se Shqipëria është e sigurtë.


“Duhet ta themi që konflikti në Lindjen e Mesme sigurisht që është një gjë shumë e keqe për sa i përket turizmit, por për fatin tonë të mirë Shqipëria është futur në hartën e vendeve të sigurta që rekomandohet nga Organizata Botërore e Turizmit si një vend i sigurtë. Ne futemi te pjesa e Italisë, Spanjës; Shqipëria është pjesë e hartës së vendeve të sigurta. Sipas trendit dhe kërkesave që po bëjnë operatorët e huaj, tregon që do ketë një kërkesë në rritje të turistëve evropianë për të vizituar Shqipërinë. Mendoj që duke u futur në hartën e vendeve të sigurta, Shqipëria do të jetë një destinacion shumë i kërkuar për vitin 2026”, tha ai.

Të ngjashme