Kryetari i Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se punëtorët teknikë në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë i kanë dhënë fund grevës, pasi që tashmë janë ekzekutuar mjetet financiare.
Azemi ka hedhur poshtë pretendimet e spitalit, të cilët nëpërmjet një shkrimi në “facebook”, kanë mohuar të ketë nisur një grevë.
“Po, zyrtarisht për shkak të vonesës së pagave, punëtorët teknikë në spitalin ‘Isa Grezda’ në Gjakovë dje kanë qëndruar gjatë gjithë ditës në grevë dhe sot deri në orën 10:00, ku ne kemi marrë një garancion se pagat deri në ora 12:00 do të dalin, kështu edhe ka ndodhur. Është shumë e vërtetë që dje ka pasur grevë dhe sot deri në ora 10:00. Sot në orën 12:00 janë deklaruar punëtorët se pagat e tyre janë në llogaritë bankare dhe ne i kemi thirrur që t’i kthehen punës së përditshme. Dhe kjo ka ndodhur e gjitha”, theksoi ai.
Azemi u shpreh se e respektojnë ligjin mbi grevat.
“Drejtori e di shumë mirë, paralajmërim i kemi bërë që nga data pesë e këtij muaji, ai ka qenë i vetëdijshëm për këtë. Është shumë normale që ne e respektojmë ligjin mbi grevat dhe normale që sallat e operacionit dhe emergjencat gjithherë duhet të mirëmbahen, por të gjithë punëtorët pas kryerjes së këtyre obligimeve kanë qenë në grevë dhe greva është shpallur sot e përfunduar në orën 10:00”, tha ai.
Azemi thotë se vonesat në paga nuk ka pasur muajve të kaluara.
“Nuk kanë pasur vonesa. Normale që ka pasur shqetësime dhe paraprakisht ne u rrimë gati, sidomos Gjakova janë shumë agil, nuk ndodh të vonohen më shumë se një ditë. Po domethënë në të kaluarën nuk ka ndodhur, nuk ka ndodhur”, u shpreh ai.
Ndërkaq sa i përket qyteteve të tjera, Azemi thekson se situatë e ngjashme është edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Ngjashmëri situatash kemi pasur edhe në spitalin në QKUK, mirëpo tani spitalet e QKUK-së nuk kemi pasur protesta as grevë, por pagat e tyre dje pas orës 12:00 kanë dalë dhe gjithçka ka qenë në rregull. Përndryshe disa shkolla, rreth 16 shkolla në Prishtinë, kemi të njëjtin problem ku punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat për muajin e shkurtër dhe të shohim se si do të veprohet tutje. Normale, në momentin kur punëtorët janë të gatshëm për organizimin e protestave dhe grevave, ne do t’u prijmë, por nëse ata janë të gatshëm që të presin edhe ne normale që do të presim. Po përndryshe, Komuna e Prishtinës ende nuk i ka përcjellë mjetet te kompanitë dhe kompanitë tek punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik”, thotë tutje Azemi.
Ndërsa gjatë ditë se djeshme Azemi njoftoi për grevën e nisur nga punëtoret teknikë të spitalit të Gjakovës por një kundërshtim erdhi sot nga Spitali i Gjakovës dhe se sipas të njëjtit nisja e grevës nuk është e vërtetë.
“Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë nuk ka asnjë marrëdhënie pune me këta punëtorë. Shërbimet e higjienës janë të kontraktuara dhe realizohen nga operator ekonomik privat, i cili është punëdhënësi i vetëm dhe përgjegjësi i drejtpërdrejtë për pagesat dhe të gjitha obligimet ndaj tyre. Ju jeni në dijeni të plotë për këtë realitet. Për këtë arsye, është e papranueshme që publikisht të krijoni perceptim të rremë dhe të përfshini Spitalin në një çështje për të cilën nuk ka përgjegjësi. Spitali nuk do të lejojë që të përdoret si mbulesë për dështimet e të tjerëve. Përgjegjësia është e qartë dhe e padiskutueshme: kompania kontraktuese duhet të përmbushë obligimet ndaj punëtorëve të saj”, thuhet ndër tjerash në reagim.

