Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Princeshës Mette-Marit, nevojë urgjente për një transplant të mushkërive

Prishtinë | 17 Mar 2026 | 20:21 | Nga Ekonomia Online

Është përkeqësuar gjendja shëndetësore e Mette-Marit, siç konfirmoi këtë të martë një përfaqësues i saj për agjencinë gjermane DPA.

Për shkak të kësaj situate, princesha 52-vjeçare nuk pritet të marrë pjesë në aktivitetet publike javën e ardhshme, kur çifti mbretëror i Belgjikës do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Norvegji.

Mette-Marit vuan nga fibroza pulmonare, një sëmundje kronike që shkakton dëmtime progresive në mushkëri dhe probleme me frymëmarrjen. Që në dhjetor, pallati mbretëror kishte bërë të ditur se ajo mund të ketë nevojë për transplant të mushkërive, për shkak të përkeqësimit të gjendjes.

Bashkëshortja e Princit të Kurorës Haakon përballet gjithashtu me presione të forta publike pas zbulimeve për kontaktet e saj me Jeffrey Epstein, si dhe për shkak të procesit gjyqësor ndaj djalit të saj të madh, Marius Borg Høiby.

Ndërkohë, princi Haakon ka vijuar angazhimet zyrtare, por pa bërë deklarata për gjendjen shëndetësore të bashkëshortes gjatë një vizite të fundit në një kompani norvegjeze të telekomunikacionit.

Kjo nuk është hera e parë që princesha tërhiqet nga aktivitetet publike për arsye shëndetësore. Në shtator 2023 dhe tetor 2024 ajo mori leje mjekësore për disa javë, duke anuluar një sërë angazhimesh.

“Në moshën 50-vjeçare kupton që jeta nuk është e përjetshme”, ishte shprehur ajo në një intervistë për median norvegjeze në vitin 2023.

Përveç sfidave shëndetësore, princesha përballet edhe me pasoja të tjera të natyrës publike dhe morale. Emri i saj është përfshirë në dokumentet e publikuara nga autoritetet amerikane në lidhje me çështjen Jeffrey Epstein, ku përmenden komunikime të shumta mes tyre gjatë viteve 2011–2014.

Të ngjashme