Donald Trump u shfaq i pasigurt nëse do ta respektojë afatin që kishte vendosur ndaj Teheran lidhur me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se vendimi përfundimtar do të varet nga ecuria e negociatave.
“Nuk e di ende. Nuk e di. Zoti Steve Witkoff dhe JD Vance dhe Jared Kushner do të më thonë nëse mendojnë se bisedimet po shkojnë mirë, dhe nëse nuk po shkojnë, ndoshta jo,” deklaroi Trump, duke iu referuar zëvendëspresidentit JD Vance, të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndrit të tij Jared Kushner, të cilëve u ka besuar menaxhimin e negociatave.
Afati fillestar kishte përfunduar të hënën e kaluar, megjithatë presidenti amerikan kishte dhënë një shtyrje deri të premten, me qëllim vazhdimin e kontakteve diplomatike.
Në prag të afatit të ri, Trump la të kuptohej se ende ka hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje.
“Kemi shumë kohë. E dini çfarë do të thotë një ditë në ‘kohën e Trump’? Një ditë – e dini çfarë është? Është një përjetësi,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se bisedimet janë ende në zhvillim dhe se mund të ketë fleksibilitet të mëtejshëm sa i përket afateve kohore. /Panorama