Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, që në mënyrë sa më të shpejtë të bëj rishikimin e buxhetit.
Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se ndonëse buxheti është miratuar, komunat po dëmtohen financiarisht pasi që nga vendimet gjyqësore po u merren me dhjetëra miliona euro.
“Të gjitha komunave u janë miratuar buxhetet e tyre komunale dhe kanë hyrë si të tilla në buxhetin e Republikës së Kosovës. Mirëpo problemi po është që në këtë kohë shumë të shkurtër me dhjetëra miliona euro ju janë marrë komunave për shkak të vendimeve gjyqësore dhe normal që komunat nuk mund t’i zbatojnë projektet të cilat i kanë paraparë me buxhetet e tyre komunale dhe normal që është pengesë. Neve si Asociacion kërkojmë që Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të shkurtë të bëjnë rishikimin e buxhetit në mënyrë që kërkesat e komunave të inkorporohen gjatë procesit të rishikimit të buxhetit”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi tha se ka vite që janë duke kërkuar themelimin Grantit të katërt për investime kapitale, dhe se themelimi i këtij të fundit do të ndihmonte në shpërndarje të drejtë të mjeteve financiare në të gjitha komunat.
“Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës edhe përgjatë viteve të kaluara kemi kërkuar themelimin e Grantit të katërt për investime kapitale, vitin e kaluar e kemi pasur bllokadën institucionale, mirëpo në strategjinë legjislative të vitit të kaluar ka qenë i paraparë amandamentimi i ligjit për financa lokale, ku ky granti i katërt për investime kapitale është i paraparë në projektligjin final i cili është duke qëndruar në Qeveri që disa vite. Dhe vetëm themelimi i Grantit të Katërt do ta bënte shpërndarjen e drejtë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë politike apo përkatësinë etnike”, tha Ibrahimi për EO.
Ndërsa, duke përmendur themelimin e Grantit të katërt për investime kapitale, Ibrahimi thekson se vetëm me të nuk do të ketë reagime të kryetarëve të komunave, sa i përket ndarjeve buxhetore.
“Dhe vetëm Granti i katërt, bazuar në analizat si Asociacion i Komunave të Kosovës, do ta zgjidhte këtë problem njëherë e përgjithmonë dhe me themelimin e Grantit të katërt për investime kapitale, të gjitha komunat do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe nuk do të ketë asnjë reagim nga kryetarët e komunave, nëse do ta kemi Grantin e katërt. Mirëpo në strategjinë legjislative për këtë vit, Ministria e Financave nuk e ka paraparë amendamentimin e ligjit për financat lokale, por e ka lënë për vitin 2028. Neve duam të shpresojmë që niveli qendror ta marrë parasysh kërkesën e komunave, në mënyrë që gjatë rishqyrtimit të strategjisë legjislative, ta fusë për amandamentim ligjin për financa lokale sepse kjo është zgjidhja e vetme për komunat e Republikës së Kosovës, domethënë hileja qëndron te ndarjet buxhetore nga ministritë e linjës, sepse grantet janë të garantuara, por të ministritë e linjës aty shumica absolute e kryetarëve mendojnë që ekziston një hile në ndarje buxhetore nga këto ministri kundrejt komunave”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi, ka folur edhe për akuzat e kryetarëve të komunave për ndarje të buxhetit nga pushteti, duke thënë se shumica prej tyre kanë mendim që ministritë e linjës ndajnë mjete financiare duke u bazuar në përkatësi politike dhe etnike.
“Shumica absolute e kryetarëve mendojnë që ministritë e linjës janë duke ndarë mjete financiare për projekte të caktuara bazuar në përkatësi politike dhe në përkatësi etnike. Neve në Republikën e Kosovës i kemi të garantuara grantet qeveritare, si granti i përgjithshëm, granti për shëndetësi, granti për arsim, granti për kryeqytetin dhe komunën e Obiliqit, mirëpo shumica absolute e kryetarëve mendojnë që ministritë e linjës janë duke ndarë mjete financiare për projekte të caktuara bazuar në përkatësinë politike dhe përkatësinë etnike”, është shprehur ai./Ekonomia Online
