Nga një prilli i këtij viti është paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të rritet deri në rreth 20 për qind.
Mirëpo, deri më tani ende nuk është marrë ndonjë vendim sa i përket tarifave të reja, raporton Ekonomia Online.
Kjo për shkak se ZRRE ende nuk ka përfunduar shqyrtimin e aplikimeve nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) të cilat kanë kërkuar një rritje prej mbi 20 për qind.
E, në rast se merret një vendim për rritje prej mbi 20 për qind ekspertët paralajmërojnë se kjo do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë, duke e cilësuar si dështim institucional dhe duke kritikuar mungesën e veprimeve konkrete nga autoritetet.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ekspertja e energjisë, Janina Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se nëse ndodhë një rritje e tillë, pasojat do të jenë direkte.
“Nëse ndodh, se akoma nuk janë bërë të ditur raportet as konsultues, e lëre më vendimi përfundimtar. Nëse vjen si vendim rritja 20%, ka me pasë pasoja direkte, fillimisht në rrymë sigurisht, po edhe në produkte të tjera që e kanë të pashmangshëm produktin e rrymës për krijimin e një produkti tjetër ose shërbimi”, tha ajo.
Ymeri përmendi edhe rritjen e importit të energjisë për vitin 2026.
“Domosdo, në këtë vit jemi 9 muaj remont kapital kemi me qenë për “B1” edhe ka me pasë rritje të importit. Megjithëse nuk është parashikuar si i tillë, se e pashë balancën për 2026-ën, ende të papublikuar përfundimisht, prapëseprapë kemi me pasë import bukur të madh, një sasi”, u shpreh ajo.
Nëse rritet çmimi i energjisë Ymeri thotë se ky është dështim, derisa përmendi edhe organizimin e importit e që sipas saj do të shpëtonte rritjen e çmimit të energjisë.
“Jo, nëse rritet çmimi i energjisë elektrike është dështim, është paaftësi menaxheriale në sektorin e energjisë elektrike. Edhe çka ka ndodhë me u bë, është me u organizu importi edhe me u marrë importi me u hy instancat shtetërore, se nuk domethënë që është treg i lirë edhe për rrymën elektrike. Nuk bëhet kjo si me bukë, si me treg të lirë të produkteve të tjera. Ka shembuj të tjerë të shteteve që kanë hy instancat qeveritare shtetërore në importet e gazit për shembull, ose të rrymës. Mundemi me organizu importin edhe i kishim shpëtu rritjes së energjisë elektrike si çmim”, ka thënë ajo.
Ymeri thotë se me çështjen e energjisë nuk është marrë dhe nuk po merret as kryeministri dhe as pjesa tjetër e ministrisë.
“Asnjëherë, asnjëherë në këtë qeveri nuk janë lodhë me u marrë as Kryeministri, as ministrja në lidhje me importin. As tash po e shohim edhe me naftën, nuk merret për shembull ministrja e Tregtisë dhe Industrisë me importin e naftës, me kqyr sa ka rezerva, me na tregu. As atëherë Artane Rizvanolli ose tash me rrymën. Nëse mendohet që kjo nuk është çështje nacionale, është shumë gabim. Kjo është një ndër produktet më të rëndësishme në mbarëvajtjen e ekonomisë sonë”, potencon ajo.
Ymeri tha se importi gjatë muajit janar ka qenë mbi 1 milion euro brenda një dite.
“Në janar dhe shkurt janë bërë të ditura importet. Në janar është mbi 1 milionë euro dita, në shkurt është më pak. Mirëpo nuk domethënë që kanë me qenë njëjtë edhe gjatë vitit. Krejt varet sa organizohet mbarëvajtja e sistemit elektro-energjetik nga ana e KEK-ut. Çdo rënie e blloqeve ka përfitime, mendoj, ka importe të paparashikueshme”, shtoi Ymeri.
Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se në Kosovë ende nuk po ndërmerren hapa konkretë për uljen e sasisë së importit të energjisë.
“Kosova është shtet i varur nga importi dhe importi i energjisë elektrike zë vendin më të lartë në strukturën e importeve. Kjo është rënduar nga fakti që prej vitesh flasim për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese (qoftë me thëngjill, qoftë me energji alternative), por ato nuk po ndodhin. Lajmet më të reja tregojnë se Evropa ka arritur që mbi 47% të prodhimit të energjisë elektrike ta ketë nga burimet alternative, ndërsa në Kosovë ende vetëm flitet dhe nuk ka hapa konkretë”, tha ai.
Ai e konsideroi shqetësuese edhe rritjen e inflacionit, duke shtuar se nuk po ndërmerren hapa konkretë për të minimizuar efektin negativ.
“Është normale të pritet ngritje e çmimit të energjisë elektrike sepse jemi të varur nga importi. Por, ajo që është më shqetësuese është se kjo rritje e inflacionit dhe e çmimit të energjisë nuk po përcillet me hapa konkretë nga institucionet për të minimizuar efektin negativ. Ngritja eventuale e paralajmëruar prej 20% nga prilli do të jetë goditje jo vetëm për standardin e qytetarëve, por edhe për prodhuesit vendor dhe ekonominë në përgjithësi”, u shpreh ai.
Gërxhaliu gjithashtu përmendi se gjatë vitit 2026 për shkak të situatës në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë situata mund të përshkallëzohet në stagnim të zhvillimit ekonomik.
“Kjo po ndodhë në kohën e problemeve dhe luftërave në Rusi, Ukrainë e në Gjirin Persik. Situata do të jetë shqetësuese dhe viti 2026 mund të ketë një stagnim të zhvillimit ekonomik, i përcjellë me rritje të inflacionit, rritje të importeve dhe tkurrje të eksporteve. Ky është realiteti i Kosovës ku politika është agjendë prioritare, e jo zhvillimi ekonomik”, theksoi ai.
Gërxhaliu deklaron se nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, bizneset do të pësojnë mosfunksionim.
“Në Kosovë është humbje kohe të kërkohet transparenca. Nëse analizohen të dhënat nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, ndoshta nuk kemi ‘mbyllje’ formale, por kemi paralizim apo mosfunksionim të bizneseve. Shumë biznese kanë qenë kompani ekzistuese me mbi 50 punëtorë dhe i kanë ndarë kompanitë që të mos hyjnë në kategorinë e pagesës së lartë të energjisë në tregun e lirë. Në anën tjetër, rritja e kredive sot është afër 80% e GDP-së së Kosovës dhe rritja e mbitërheqjeve (overdraft) në bankat komerciale është afër 700 milionë euro. Këta dy parametra dëshmojnë më së miri mjerimin në Kosovë. Me këtë ngritje të çmimit të energjisë, do të jetë e pamundur që prodhimet “Made in Kosova” të jenë konkurruese, jo vetëm në tregun evropian, por as në atë rajonal”, shtoi Gërxhaliu.
Kosova është afër të përballet me një tjetër shtrenjtim të rrymës, i katërti në katër vitet e fundit. Kërkesa është që të ketë rritje për mbi 20 për qind, shtrenjtim që është kundërshtuar edhe me protestë para rreth dy muajve.
Kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, në aplikimin e dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ka kërkuar rritje prej 21.3 për qind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesë për rritje ka pasur edhe nga KEDS dhe KOSTT-i.
ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak. /Ekonomia Online

