Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar diskutimin me temë: “Shfrytëzimi i Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) të SHBA-së për Sigurinë Energjetike dhe Bashkërendimin Strategjik të Kosovës”, raporton Ekonomia Online.
E ngarkuara me punë të posaçme e ShBA-ve, Anu Prattipatti ka thënë se Kosova është shumë e varur nga importi i energjisë elektrike dhe se në tre vitet e fundit është rritur dramatikisht shumë importi.
“Duke mbledhur bashkë ekspertë, biznese, vendimmarrës dhe palë të interesit për të ekzaminuar nevojat afatgjata të Kosovës për energji, kjo iniciativë është një kontribut i rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar një sektor energjetik më të sigurt, më të besueshëm dhe më të larmishëm (të diversifikuar). Siguria energjetike është siguri kombëtare, dhe diversifikimi i energjisë është thelbësor për arritjen e kësaj sigurie. Furnizimi i brendshëm me energji elektrike i Kosovës nuk po mban hapin me rritjen e kërkesës. Ndërsa kjo hapësirë zgjerohet, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë varur nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike nga tregjet fqinje. Në tre vjetët e fundit, importet e energjisë elektrike kanë shënuar një rritje dramatike: nga 116 milionë euro në vitin 2023, në 142 milionë euro në vitin 2024, deri në një shifër rekord të të gjitha kohërave prej 259 milionë eurosh në vitin 2025. Këto kosto në rritje ndikojnë tek familjet, bizneset dhe në konkurrueshmërinë e përgjithshme të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të dëgjojmë nga kompanitë amerikane, veçanërisht në sektorët e TIK-ut (teknologjisë së informacionit dhe komunikimit) dhe mbrojtjes, shqetësime se problemet me besueshmërinë e energjisë po bëhen një pengesë për investimet e ardhshme në Kosovë”, tha Pratipatti.
Ajo tha se energjia e besueshme nuk është vetëm një çështje teknike, por lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik, klimën e biznesit dhe interesat strategjike të një vendi, prandaj dialogë të tillë janë shumë të rëndësishëm.
“Energjia e besueshme nuk është thjesht një çështje teknike; ajo është një çështje ekonomike, një çështje e klimës së biznesit dhe një çështje strategjike. Kjo është arsyeja pse bisedat si kjo e sotmja janë aq të rëndësishme. Shtetet e Bashkuara besojnë se ekziston një mundësi e rëndësishme për një bashkëpunim më të thellë dhe afatgjatë energjetik midis dy vendeve tona përmes gazit natyror të lëngshëm amerikan (LNG), i cili është i bollshëm dhe i besueshëm. Investimi që tani në infrastrukturën e nevojshme për të sjellë LNG-në amerikane në Kosovë do të ndihmonte në diversifikimin e përzierjes energjetike të Kosovës, duke krijuar njëkohësisht një sistem më fleksibël dhe më elastik. Ndryshe nga termocentralet me thëngjill (linjit), impiantet e gazit natyror mund ta rrisin ose ulin prodhimin me shpejtësi, si dhe ofrojnë kapacitet kritik të depozitimit gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa dhe çmimet arrijnë pikun. Për të qenë të qartë, ne nuk po themi të zëvendësoni linjitin tuaj; ne po themi se ky do të ishte një plotësues shumë i mirë për thëngjillin tuaj ekzistues dhe të bollshëm këtu. Dhe koha ka rëndësi”, tha ajo.
Anila Beqa, shefe e kabinetit në ministrinë e Ekonomisë tha se politikat energjetike kanë të bëjnë me shume aspekte ekonomike.
“Politika energjetike sot nuk ka më të bëjë vetëm me prodhimin e energjisë elektrike. Ajo ka të bëjë me qëndrueshmërinë, me përballueshmërinë e çmimeve, me sovranitetin, konkurrueshmërinë dhe pozicionimin strategjik afatgjatë në një mjedis gjeopolitik dhe ekonomik gjithnjë e më të pasigurt. Në shumë aspekte, kjo është pikërisht sfida me të cilën po përballen sot të gjitha qeveritë në mbarë Evropën. Siç e ka theksuar me të drejtë ministrja Rizvanolli në diskutime të mëparshme rajonale, nuk ekziston një rrugë e vetme tranzicioni që u përshtatet të gjithëve. Çdo vend duhet të vlerësojë me kujdes realitetet e veta strukturore, bazën e burimeve dhe interesat strategjike afatgjata kur përcakton të ardhmen e tij energjetike.Për Kosovën, ky diskutim duhet të nisë nga pika jonë reale e nisjes. Kosova mbetet një nga vendet e pakta në rajon pa infrastrukturë vendore të gazit, pa sistem transmetimi të gazit, pa kapacitete magazinimi, pa rrjete shpërndarjeje dhe pa një treg funksional të gazit”, tha Beqa.
Ajo tha se Kosova është vend me potencial të pashfrytëzueshëm për energji të ripërtëritshme.
“Në të njëjtën kohë, ne jemi gjithashtu një vend me potencial të konsiderueshëm ende të pashfrytëzuar për energji të ripërtëritshme, me mundësi të mëdha në teknologjitë e magazinimit dhe fleksibilitetit, si dhe me mundësi në rritje për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike. Pikërisht për këtë arsye, strategjia energjetike e qeverisë është përqendruar në ndërtimin e një sistemi energjetik të larmishëm, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes, i mbështetur në disa shtylla kryesore: përshpejtimin e investimeve në energji të ripërtëritshme, modernizimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, investimin në bateri për magazinimin e energjisë dhe fleksibilitetin e sistemit, përmirësimin e efikasitetit energjetik përmes investimeve në familje, ndërtesa publike dhe biznese, forcimin e integrimit në tregjet rajonale, si dhe sigurimin e furnizimit afatgjatë me energji duke mbrojtur njëkohësisht përballueshmërinë për qytetarët dhe industrinë,” tha Beqa.


