Profesori i Universitetit të Prishtinës, Nuri Bexheti, ka deklaruar në emisionin Rubikon se Serbia nuk i kushton rëndësi marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë në raport me Kosovën.
Sipas tij, Serbia e sheh Kosovën kryesisht përmes një sentimenti historik, ndërsa respektimi i marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve nuk përbën shqetësim për Beogradin.
“Sa u përket marrëveshjeve e obligimeve që kanë marrë, Serbia nuk mërzitet për marrëveshjet që ka bërë me Kosovën, s’i bën përshtypje ajo punë. Kosovën, Serbia e ka vetëm sentiment historik”, ka deklaruar Bexheti në Rubikon të Klan Kosovës.
Duke folur për raportet e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe ndikimin e tyre në Kosovë, profesori ka thënë se një ndryshim i kursit politik të Beogradit drejt integrimit evropian mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën.
“Në raport me Kosovën, ne shpresojmë vetëm një gjë sipas meje. Nëse Serbia merr një kurs pro evropian dhe vendosen ata hipotetikisht, thonë po bëhemi pjesë intensive e integrimit evropian, mos ta harrojmë se kapitujt e fundit që ka hapur Serbia me BE-në janë të 2021-shit prej asaj kohe janë bllokuar. Nëse ata ndërrojnë kurs shumë pro Evropës, atëherë goditja është e madhe mbi ne si Kosovë. Shpresa jonë e madhe, sipas meje është, nëse ata vazhdojnë me kokëfortësi dhe shumë anti evropian, këtu ne nxirremi disi”, tha më tej Bexheti.