I akuzuari për spiunazh, Muharrem Qerimi, e ka pyetur dëshmitarin A.K., zyrtar policor, pse nuk e kishte përcjellë më tej informacionin që, sipas tij, ia kishte dhënë lidhur me zhvillimet në Banjskë dhe sigurinë e policëve në veri të Kosovës. Dëshmitari tha se informacioni nuk ishte i konfirmuar dhe se nuk kishte mundur ta verifikonte për shkak të situatës së tensionuar, raporton Ekonomia Online.
Gjatë seancës gjyqësore, Qerimi e pyeti dëshmitarin nëse i kujtohej që e kishte kontaktuar gjatë rastit të Banjskës dhe e kishte informuar për disa rrethana, me qëllim që informacioni të përcillej më tej për sigurinë e policëve.
“A të kujtohet kur të kam thirr gjatë rastit të Banjskës dhe të kam informuar për disa rrethana atje, dhe të kam thënë për me dërgu tutje atë informacion atje për shkak të ruajtjes së policëve tanë. E kam informuar për disa informacione për sigurinë tonë në pjesën veriore, për t’i ruajtur policinë. Edhe ky deklaron se nuk më është dukur valid ai informacion”, pyeti Qerimi.
Dëshmitari u përgjigj se nuk e mbante mend nëse Qerimi e kishte telefonuar apo i kishte dërguar mesazh atë ditë, duke shtuar se informacioni nuk ishte konfirmuar.
“Nuk e di nëse më ka thirr a dërguar SMS, atë ditë nuk kam qenë në punë, kam pasur një familjar në spital. Informacioni ka qenë i pakonfirmuar për momentin. Kështu që unë kam pritur se si po rrjedh ngjarja, që nesër ka me pasë nevojë, mirëpo me qenë se situata rodhi ndryshe, nuk pashë nevojë”, tha dëshmitari.
I pyetur nga Qerimi nëse e kishte përcjellë informacionin më tej, zyrtari policor tha se nuk e kishte bërë këtë, pasi nuk kishte mundur ta verifikonte saktësinë e tij.
“Jo, me qenë se ka qenë e pamundur për shkak të situatës që të konfirmohet si i saktë. Situata ka qenë atje shumë e tensionuar dhe një informacion i gabuar mund ta dërgonte në veprime jo të duhura. Unë e kam pasur të pamundur ta verifikoj atë informacion”, deklaroi ai.
Gjatë seancës, Qerimi e pyeti dëshmitarin edhe për takimet e tyre pas vitit 2022 dhe për një biznes të mundshëm të shitjes dhe riparimit të telefonave mobilë në Fushë Kosovë. Dëshmitari mohoi se kishte propozuar lokacionin për hapjen e dyqanit, duke thënë se ideja kishte ardhur nga Qerimi.
“Kur jemi takuar në 2022 ai më ka thënë që punon me patundshmëri dhe më ka thënë që po don me investuar me një biznes. Unë i kam thënë që për kohën ky biznes është profitabil si dhe lokacioni”, tha dëshmitari.
Ai mohoi se kishte pasur marrëveshje për bashkëinvestim, duke shtuar se nuk kishte pasur as buxhet dhe as kohë për t’u përfshirë në një biznes të tillë.
Gjatë pyetjeve të avokatit mbrojtës të Qerimit, Betim Shala, dëshmitari tha se fillimisht nuk e kishte konsideruar Qerimin informator zyrtar të policisë, por person me të cilin kishte punuar më herët dhe kishte pasur disa kontakte.
“Fillimisht informator nuk mund të konsiderohet zyrtarisht. Ka qenë një person me të cilin kam punuar më të dhe që i kam pasur disa kontakte me të”, tha ai.
I pyetur për qëllimin e takimeve me Qerimin, dëshmitari deklaroi se ai zakonisht i kishte thënë se kishte informacione për t’i treguar.
“Secilën herë më ka thënë se ka informacion për të treguar dhe jemi takuar”, tha dëshmitari.
Avokati e pyeti gjithashtu për një mesazh të datës 6 korrik 2023, i cili, sipas tij, ishte dërguar nga numri i telefonit të dëshmitarit drejt Qerimit dhe përmbante pyetjen: “Tuxha a është ka lëviz naj kah, edhe nëse po me çfarë dokumenta?”. Dëshmitari tha se nuk e mbante mend mesazhin dhe nuk i kujtohej nëse e kishte shkruar.
Po ashtu, i pyetur për thirrjet telefonike që, sipas avokatit, ia kishte bërë Qerimit 15 herë gjatë periudhës 2022-2024, dëshmitari tha se nuk i kujtonte saktësisht të gjitha telefonatat.
“Nëse kërkohet nga unë që me kujtuar saktë thirrjet telefonike… Mund të ketë ndodhur që më ka thirr, nuk e kam hapur telefonin, mund ta kem thirr pastaj”, u përgjigj ai.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të ngritur më 19 shkurt 2025, ata dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA) lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-komandant të Policisë së Serbisë, si dhe kanë transmetuar informacione përmes telefonave dhe postës elektronike. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e spiunazhit. Në seancën fillestare të mbajtur më 17 mars 2025, Qerimi e ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Në seancën e fundit, të mbajtur më 9 tetor, gjykimi ka nisur rishtazi pas zëvendësimit të gjykatësit Vesel Ismajli me gjykatësen Donika Shala-Abdyli, për shkak të afrimit të datës së pensionimit të tij.
